image Breshëri shkatërroi të mbjellat në Istog, nis vlerësimi i dëmeve – komuna premton mbështetje për fermerët

Kosovë

Breshëri shkatërroi të mbjellat në Istog, nis vlerësimi i dëmeve – komuna premton mbështetje për fermerët

news image

Reshjet e fuqishme të breshrit kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në kulturat bujqësore në komunën e Istogut, ndërsa ekipet komunale kanë nisur menjëherë evidentimin e pasojave në terren.

Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, ka bërë të ditur se komisionet komunale janë angazhuar për vlerësimin e dëmeve dhe se ky proces pritet të përfundojë brenda shtatë ditësh kalendarike.

Sipas Feratit, breshëri ka goditur veçanërisht sipërfaqet bujqësore dhe kulturat që ishin afër fazës së vjeljes, duke shkaktuar dëmtime të mëdha për fermerët.

Gjatë inspektimeve në terren, Ferati, së bashku me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, kanë parë nga afër gjendjen e krijuar dhe pasojat në tokat bujqësore.

Kryetari i Istogut ka kërkuar ndërhyrje urgjente për kompensimin e fermerëve të prekur, në mënyrë që ata të përballojnë humbjet e shkaktuara nga fatkeqësia natyrore.

Komisionet komunale do të vazhdojnë punën në terren për evidentimin e plotë të dëmeve dhe përgatitjen e raportit përfundimtar.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/