Në orët e para të mëngjesit të sotëm, konkretisht pas orës 02:00, është shtënë me armë zjarri në drejtim të antenës së Ipko-s në Banjë të Pejës, ka konfirmuar policia për Gazetën Sinjali.
Rastin në polici e ka lajmëruar një punëtor i Ipko-s, ndërsa rasti është hapur si ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi, tha për Gazetën Sinjali se aktualisht nuk ka ndonjë të dyshuar por policia po punon në identifikimin e kryesve të veprës.
“Pas mesanatës janë shprep disa plumba në antetën e Ipko-s në Banjë të Pejës. Njësiti i hetimeve ka dalë në vendngjarje dhe njësitët tjera kompetente dhe rasti është duke u hetuar. Një punëtori i Ipko-s e ka raportuar rastin në polici. Për momentin nuk kemi të dyshuar, po punohet në indentifikimin e kryesit të veprës”, tha Gashi për Gazetën Sinjali.
I pyetur se sa është numri i plumbave që janë shkrep në drejtim të kësaj antene, Gashi tha se nuk e di saktë ‘por ka shumë’.
Ndërkohë, raportohet se në vendngjarje janë gjetur mbi 50 gëzhoja plumbash. Me rastin po merret edhe Prokuroria Themelore në Pejë. /Gazeta Sinjali/