image Brenda një dite shtetet e Quint-it refuzohen dy herë nga Kosova

Kosovë

Brenda një dite shtetet e Quint-it refuzohen dy herë nga Kosova

news image

Gjatë ditës së djeshme, shtetet e Quint-it kanë marrë dy përgjigje negative nga Kosova. E para ka të bëjë me kërkesën e kahershme të ambasadorëve për largimin e Naser Shalës të njohur si ‘ftyra’ nga posti i Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, ndërsa rasti i dytë nga partitë politike për shfuqizimin e taksës.

Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Naser Shala, dje ka refuzuar kërkesën e ambasadorëve që të largohet nga posti që i kishin dhënë deputetët e Kuvendit të Kosovës gjashtë muaj më parë.

Në një reagim për media, ‘ftyra’, ka thënë se nuk jep dorëheqje, pas kërkesave të ambasadorit amerikan, Philip Kosnett dhe ambasadorit britanik Ruairi O’Connell.

“Unë do të vazhdojë të mbaj pozitën, të përkushtohem maksimalisht në zotërimin e saj, mirëpres besimin dhe durimin nga ana juaj që rezultatet e punës sime të jenë ato të cilat do të vlerësojnë kualifikimin tim, marrjen e pozitës me apo pa meritë”, ka deklaruar Shala.

Shala ka thënë se një veprim të tillë do ta bënte vetëm me kërkesën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës,

“Në rast se vetëm gjysma e deputetëve të Kuvendit të Kosovës që më kanë dhënë besimin për këtë detyrë vlerësojnë që kualifikimi dhe rezultatet e punës sime të deri tanishme nuk përkojnë me objektivat e Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës dhe më kërkojnë dorëheqjen, me kërkesën e tyre unë jam i gatshëm ta bëj”, deklaroi Shala.

Në anën tjetër, shtetet e Quint-it gjatë ditës së djeshme kanë bërë edhe një kërkesë tjetër ndaj institucioneve të Kosovës. Ato kanë kërkuar që të shfuqizohet taksa e Kosovës ndaj Serbisë si parakusht që dialogu të vazhdojë.

Por, partitë politike i kanë thënë Sinjalit se taksa ndaj Serbisë duhet të mbetet.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj ka përsëritur kushtin e njëjtë që edhe kryeministri në largim kishte vendosur për shfuqizimin e taksës. Ahmet Isufi nga AAK ka thënë për Sinjalin se taksa nuk do të shfuqizohet deri në njohjen e Kosovës nga Serbia.

“Taksa nuk ka të bëjë asgjë me dialogun sepse është vendosur kundër Serbisë për shkak të veprimeve ndaj Kosovës dhe në diplomacinë e jashtme, prandaj dialogu nuk duhet të kushtëzohet, ne jemi që të vazhdojë dialogu që nënkupton njohjen mes dy shteteve”, ka thënë Isufi për Sinjalin.

Edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka qenë kategorikisht kundër kërkesës së shteteve të Quint-it që Kosova ta shfuqizojë taksën. Ka thënë se ky kusht ka qenë nga Serbia pavarësisht se po kërkohet nga shtetet e Quint-it.

“Përderisa, tërheqja e taksës vazhdon të jetë kusht për bisedimet me Serbinë, kjo i bije që është kusht i Serbisë për Kosovën dhe edhe nëse vije nga ndokush tjetër, për ne vazhdon të jetë kusht i Serbisë. Ne nuk duhet t’i nënshtrohemi kushtit të Serbisë, e para”.

“E dyta, taksën e kemi përkrahur dhe vazhdojmë ta përkrahim sa është në shërbim dhe në mbrojtje shërbimeve tregtare nga agresioni i Serbisë. Normalisht taksa nuk është gjithçka, por ajo është diçka që e kemi përkrahur sepse me Serbinë do të duhej të shkonim edhe përtej taksës”, ka thënë Selimi./Sinjali/