image Brazil, 37 të vdekur nga përplasja e një autobusi me një kamion

Botë

Brazil, 37 të vdekur nga përplasja e një autobusi me një kamion

news image

Përplasja e një autobusi pasagjerësh me një kamion të shtunën shkaktoi vdekjen e 37 individëve në një autostradë në shtetin Minas Gerais, në pjesën juglindore të Brazilit, thanë zyrtarët.

Departamenti i zjarrfikësve, që shkoi në vendngjarje, tha se 13 të plagosur u dërguan në spitalet pranë qytetit Teofilo Otoni. Autobusi me 45 pasagjerë në bord ishte nisur nga qyteti Sao Paulo.

Autoritetet thanë të shtunën pasdite se i kishin larguar të gjitha viktimat nga vendi i ngjarjes dhe se një hetim do të përcaktojë shkakun e aksidentit.

Dëshmitarët u thanë ekipeve të shpëtimit se autobusi i kishte shpërthyer një gomë, duke bërë që shoferi të humbiste kontrollin dhe të përplasej me një kamion. Të tjerë thanë se një bllok graniti goditi autobusin, thanë zyrtarët. Tre pasagjerë të një makine që u përplas gjithashtu me autobusin, shpëtuan.

Guvernatori Romeu Zema shkroi në rrjetin X se kishte urdhëruar “mobilizimin e plotë” të qeverisë për të ndihmuar viktimat.

“Po punojmë për të siguruar mbështetjen e familjeve të viktimave për ta përballuar këtë tragjedi në mënyrën më njerëzore të mundshme, veçanërisht pasi ajo vjen pak para Krishtlindjeve”, tha zoti Zema.

Gjatë vitit 2024, më shumë se 10,000 njerëz vdiqën në aksidente rrugore në Brazil, sipas Ministrisë së Transportit.

Në shtator, një autobus që transportonte një ekip futbolli pësoi aksident duke shkaktuar vdekjen e tre personave. Coritiba Crocodiles, një ekip sportiv nga qyteti jugor brazilian, Curitiba, po udhëtonte drejt qytetit Rio de Zhaneiro për një ndeshje të kampionatit të futbollit amerikan në atë vend. Ndeshja u anulua pas aksidentit vdekjeprurës.

/GazetaSinjali/