image Botuesi: Jam i sigurt që Kadare ka lënë diçka të fundit, e drejta e botimit i takon familjes

Libra

Botuesi: Jam i sigurt që Kadare ka lënë diçka të fundit, e drejta e botimit i takon familjes

news image

Drejtuesi i shtëpisë botuese “Onufri”, Bujar Hudhri ishte mes personave të pranishëm në Teatrin e Operas dhe Baletit sot, ku njerëzit bënë homazhe për shkrimtarin Ismail Kadare, i cili vdiq të hënën nga një sulm në zemër.

Për t’ia dhënë lamtumirën e fundit, atje shkoi edhe Hudhri, nga ku u pyet nëse Kadare la pas ndonjë dorëshkrim të fundit. Pohoi se “mund të ketë”.

“Nga vetë natyra e Kadaresë, ai nuk tregonte se çfarë ishte duke shkruar. Kur e kishte nisur dhe do të bashkëpunonte me botuesin, ti kuptoje që një vepër e re ka nisur, por derisa s’ta ka sjellë, ai nuk ta tregonte se thoshte “jam supersticioz”, nuk e tregonte. Mund të ketë, ndoshta gjenia e tij nuk mund të rrinte pa krijuar dhe shpeshherë e kam pyetur në ditë të ndryshme, në momente të ndryshme, i qetë, i paqetë, duke pirë kafe, duke ecur se vërtet, a i ishte duke shkruar. ‘Po’, thoshte, ‘duke shkruar’, pastaj të nesërmen e përgënjeshtronte por ajo që unë mendoj se ai ka lënë ishte diçka që e ka nisur te kafe ‘Rostand’, një libër, është një kapitull që quhet “Mozaikale”. Aty janë ca tekste si bizhu, si xhevahire, të shkurtra, të kondensuara, brilante dhe ndoshta bëhet sepse mosha e tij, talenti i tij i madh bënë që të japë të tilla mrekullira por edhe zgjasin shumë se duan fuqi fizike. Jam i sigurt që këto i ka lënë se shpesh thoshte ‘po, një ngjarje te Juvenilja, një takim, një fytyrë gruaje’, diçka e tillë. Shpresojmë”, tha ai.

“Do t’i shohim të botuara?” u pyet Hudhri, duke u përgjigjur me një fjali: “Tani nga nesër e tutje zonja Kadare me dy bijat e kanë të drejtën”.

/GazetaSinjali/