Shtatë ish-zyrtarë të policisë dhe ushtrisë serbe të Bosnjës janë arrestuar sot nën dyshimet se kanë kryer krime kundër joserbëve, gjatë luftës në Bosnje, në vitet 1992-95, shkruan Gazeta Sinjali.
Zyra e Prokurorit të Bosnje e Hercegovinës përmes një komunikate për media tha se grupi dyshohet për krime kundër njerëzimit në rastin e burgosjes dhe torturimit të rreth 150 civilëve myslimanë dhe kroatë, në qytetin Donji Vakuf, më 1992.
Në deklaratë po ashtu thuhet se shumë të burgosur kanë vdekur si pasojë e trajtimit çnjerëzor, rrahjeve dhe ngacmimeve, ose kanë pësuar trauma të përhershme.
Policia e Bosnjës tha se arrestimet janë bërë në qytetin e Banja Llukës.
“Të dyshuarit do t’i dorëzohen prokurorit të rastit brenda afatit ligjor, në përputhje me masat e sigurisë për shkak të pandemisë COVID-19. Prokurori do t’i intervistojë ata dhe do të marrë vendim për veprimet e mëtejshme”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.
Ndryshe, mbi 100 mijë njerëz janë vrarë në luftën në Bosnje, e cila ka përfunduar me një marrëveshje të paqes, të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, në vitin 1995.
Me këtë marrëveshje, Bosnja është ndarë në dy entitete: Federata Myslimane-Kroate dhe Republika serbe. /Gazeta Sinjali/