Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ka hedhur sërish kritika ndaj Gjykatës Speciale.
Ai ka theksuar se kjo gjykatë qëllimshëm po e zvarrit procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, ai ka shkruar se për shkak të pagave të mira duket se gjyqtarët e kësaj gjykate po duan që procesin ta zvarrisin sa më shumë.
“Duket se gjyqtarët duan të mbajnë sa më gjatë punët e tyre të paguara mirë në dëm të të pandehurve. Pse nuk mund të shkojnë në shtëpi e të presin gjyqin?”, ka pyetur Bosch.
Dje ka përfunduar edhe konferenca e fundit statusore para nisjes së gjykimit në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Gjykimi pritet të fillojë më 3 prill, përderisa konferenca e djeshme statusore është shoqëruar me përplasje lidhur me kohëzgjatjen e gjykimit.