image Borxhi mbi 2 mijë euro për ujë, KRU “Prishtina” paralajmëron ndërprerjen e furnizimit

Kosovë

Borxhi mbi 2 mijë euro për ujë, KRU “Prishtina” paralajmëron ndërprerjen e furnizimit

news image

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka bërë të ditur se një konsumator në kryeqytet ka grumbulluar borxh prej 2 mijë e 770 eurosh për shërbimet e ujësjellësit, pas mospagesës së faturave për një periudhë të gjatë kohore.

Përmes një njoftimi publik, kompania ka bërë të ditur se banori i rrugës “Hetem Selmani” ka dështuar të shlyejë obligimet financiare ndaj ujësjellësit, duke bërë që rasti të shkojë drejt ndërprerjes së lidhjes me sistemin publik të furnizimit me ujë.

Në reagimin e saj, KRU “Prishtina” ka përdorur edhe një ton ironik, duke theksuar se uji nuk mund të sigurohet me premtime apo mosreagim ndaj njoftimeve.

“Borxhi për ujë ka arritur në 2,770 euro. Për shkak të këtij rekordi, lidhja me sistemin publik të ujësjellësit do të kalojë në pension të parakohshëm. Rubineti mund të vazhdojë të hapet me shpresë, por uji nuk do të paraqitet derisa të kryhen obligimet”, thuhet në njoftim.

Kompania u ka bërë thirrje konsumatorëve që të shlyejnë faturat me kohë, duke paralajmëruar se ndaj rasteve me borxhe të mëdha do të ndërmerren masa në përputhje me rregulloret në fuqi.

Sipas KRU “Prishtina”, pagesa e rregullt e faturave është e domosdoshme për të garantuar funksionimin dhe mirëmbajtjen e sistemit të furnizimit me ujë për të gjithë qytetarët.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/