Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka publikuar tri kërkesa për të dalë nga kriza në veri.
Në një shkrim në Twitter, ai tha se BE ka paraqitur tri kërkesa të qarta:
“Zgjedhjet e reja lokale në veri, sigurimi i pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës në zgjedhje, fillimi i punës për themelimin e Asociacionit në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.
Borrell theksoi se “dështimi i këtyre kërkesave, do të ketë pasoja të rënda në marrëdhëniet ndërkombëtare”.
Kërkesat e Borrell erdhën pas takimit të Osmanit me presidentin e Francës, Emanuel Macron, kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe shefi për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell.
I pranishëm në takim ishte edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se Gjermania dhe Franca u kanë kërkuar Kosovës dhe Serbisë të mbajnë zgjedhje të reja në komunat në veri të Kosovës.
“Franca dhe Gjermania u kërkuan udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë të organizojnë zgjedhje të reja në rajonet e prekura nga trazirat sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Macron, i cili shtoi se u kërkua që të qartësohen edhe rregullat për zgjedhje.
Osmani e konfirmoi se Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, ia bënë këtë kërkesë gjatë takimit të tyre në samitin e Komunitetit Politik Evropian në Moldavi, dhe shtoi se u tha atyre që “ne jemi të gatshëm ta shqyrtojmë këtë, në bazë të ligjit të Kosovës për zgjedhjet lokale”.