“Jemi duke u përballur me krizën më serioze në dhjetë vjetët e fundit”, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, duke komentuar tensionet në rritje midis Kosovës dhe Serbisë. Borrell tha se të dyja palët duhet urgjentisht të tregojnë gatishmëri për uljen e tensioneve.
Ai i bëri komentet në një konferencë për media në Bruksel, pas një takimi që zhvilluan ministrat e Jashtëm të BE-së për çështje që lidhen me Ballkanin Perëndimor.
Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur prej se Qeveria e Kosovës ka nisur më 1 nëntor zbatimin e planit të saj për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.
Qeveria e Kosovës do që të gjitha makinat të riregjistrohen me targa RKS, apo Republika e Kosovës, por Serbia kundërshton, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.
Si pasojë e tensioneve të rritura, serbët e veriut i kanë braktisur institucionet e Kosovës.
Borrell tha se 21 nëntori – dita kur, sipas planit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave, pritet të nisë gjobitja e shoferëve me targa të paligjshme – nuk duhet t’i gjejë Kosovën dhe Serbinë pa një marrëveshje për targat.
Në të kundërtën, “do të kemi situatë të rrezikshme”, tha Borrell, duke mos elaboruar më shumë.
Më herët, ai tha se i ka dorëzuar Kosovës dhe Serbisë një propozim për zgjidhjen e kësaj krize.
“Duhet të gjejmë një rrugëdalje nga kjo krizë. Kemi paraqitur një propozim për dalje nga kriza, [të cilin] duhet ta shqyrtojnë [palët]”, tha Borrell.
Ai nuk dha detaje se çfarë përmban propozimi, por falënderoi Francën dhe Gjermaninë për ndihmën e ofruar.
Borrell tha se Kosova dhe Serbia janë në udhëkryq dhe se “duhet të vendosin nëse duan të shkojnë në të kaluarën, apo drejt BE-së”.