Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Materialit Ndërtimor nga Argjila, Mustafë Borovci, ka thënë se shfuqizimi i vendimit për masën mbrojtëse antidamping për bllokat me dimensione 19x19x25 të importuar nga Serbia, është i dëmshëm për prodhuesit kosovarë.
Sipas Borovcit vendimi i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisië dhe Tregtisë i vë në konkurrencë me prodhuesit serbë për të cilët thotë se janë më në favor se ata kosovarë.
“Vendimi i marrë për shfuqizimin e masës për bllokat me origjinë nga Serbia është i dëmshëm përgjithësisht për ekonomin e vendit, veçanërisht për prodhuesit vendorë të këtyre produkteve, pra të bllokave të prodhuar nga argjila e pjekur”, deklaroi Borovci në Klan Kosova.
“Kjo na vë përballë një konkurrence të ashpër me prodhuesit e Serbisë të cilët e kanë mbështetjen nga subvencione indirekte nga ana e shtetit dhe që bëjnë një trysni të jashtëzakonshme në tregun e Kosovës”, shtoi ai.
I pari i prodhuesve të bllokave nga argjila ka theksuar se derisa Serbia e kishte të ndaluar importin e këtyre bllokave për pesë vjet në Kosovë është përmirësuar më shumë situata e fabrikave.
Ndërkohë, edhe nga reagimi i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, thuhet se nëse konstatohet se një import i tillë vazhdon së atakuari përsëri prodhuesit vendorë me shitjen e produktit nën vlerën normale, atëherë ministria do të marrë vendim menjëherë për hapjen e një hetimi zyrtar dhe nëse analizat përfundimtare konstatojnë se po vazhdon çmimi damping në tregun e Kosovës, ministria do të vendosë përsëri masën mbrojtëse antidamping.