Rruga në afërsi të pikëkalimit kufitar mes Serbisë dhe Kosovës, Merdare, është bllokuar në pjesën serbe pasditen e së premtes.
Dy vetura, njëra me një flamur serb në dritaren e pasagjerit, dhe disa persona pranë tyre shihen të vendosur në mes të rrugës që çon në pikën kufitare drejt Kosovës, raporton Radio Evropa e Lirë.
Siç është paralajmëruar, rrugët do të bllokohen edhe në dy pikat e tjera kufitare ndërmjet Serbisë dhe Kosovës – Jarinje dhe Bërnjak – si dhe afër pikëkalimit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, në Kula.
Rasha Rojeviq, kryetar i Asociacionit të Qytetarëve të Qarkut Kosovë-Mitrovicë, një nga tetë shoqatat që organizojnë bllokadat, tha më herët se kjo është “bllokadë selektive”, që nënkupton se ata do t’i lejojnë ta kalojnë kufirin nga ana serbe vetëm udhëtarët me dokumente serbe.
Të mërkurën, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) u ka bërë thirrje shtetasve të Kosovës dhe mërgatës kosovare t’i shmangin pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë gjatë udhëtimeve të tyre transit.
Javën e kaluar, Qeveria e kryeministrit Albin Kurti i mbylli pesë institucione paralele serbe në katër komunat me shumicë serbe, për të cilat tha se vepronin në kundërshtim me ligjet dhe kushtetutën e vendit.
Në disa nga objektet që më herët janë përdorur nga institucionet paralele, ditëve të fundit janë vendosur pllaka që tregojnë se tani ato do të përdoren si zyra për disa nga ministritë e Kosovës dhe departamentet e tyre.
Punëtorët e atyre institucioneve paralele kanë protestuar dy ditë kundër mbylljes së tyre.
Mbylljes së këtyre institucioneve paralele i parapriu ndalimi i dinarit serbë dhe mbyllja e disa degëve të Postës së Serbisë në veri më herët këtë vit.
Qeveria e Kosovës ka thënë vazhdimisht se po përpiqet të vendosë rend dhe ligj, posaçërisht në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, duke i shuar institucionet paralele serbe.
Vendimet e Qeverisë së Kurtit janë kritikuar ashpër si të “njëanshme dhe të pakoordinuara” nga bashkësia ndërkombëtare, e cila ka thënë se ato rrezikojnë rritjen e tensioneve.
Më 2022, serbët në veri i bllokuan rrugët drejt pikave kufitare mes Kosovës dhe Serbisë pas arrestimi të një ish-polici serb të Policisë së Kosovës. Ato ishin hequr pas disa javësh.