Shtetet e Bashkuara janë të vendosura për të parandaluar që konflikti ushtarak midis Izraelit dhe luftëtarëve të Hezbollahut me bazë në Libanin jugor të përshkallëzohet në një luftë gjithëpërfshirëse, tha të hënën Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken para një auditori në Institutin Brookings me qendër në Uashington.
Sipas Sekretarit Blinken “asnjë nga aktorët kryesorë në të vërtetë nuk dëshiron luftë”.
“Unë nuk besoj se Hezbollahu në të vërtetë dëshiron luftë. Izraeli nuk dëshiron luftë, megjithëse mund të jetë i përgatitur të përfshihet në një të tillë nëse është e nevojshme. Libani sigurisht që nuk dëshiron një luftë, sepse do të ishte viktima kryesore në një luftë të tillë”, shtoi ai. “Po ashtu nuk besoj se Irani dëshiron luftë sepse nuk do që Hezbollahu të shkatërrohet dhe sepse mund të synojë ta mbajë Hezbollahun si “kartë” nëse do i nevojitet”.
Ndërsa zoti Blinken mbante fjalën, përmes mikrofonit të tij mund të dëgjoheshin protestuesit pro-palestinez jashtë Institutit Brookings.
Sekretari Blinken përsëriti thirrjen drejtuar kreut të Hamasit në Gazë, Yahya Sinwar, për të pranuar armëpushimin e propozuar nga SHBA-të dhe nënvizoi nevojën për një plan të mirë përgatitur për Gazën pas luftës .
“Kur konflikti të përfundojë duhet të ketë plane të qarta dhe të arritshme për qeverisjen në Gazë, për sigurinë e saj dhe natyrisht për të ndihmuar njerëzit që të rindërtojnë jetët e tyre, të cilat janë shkatërruar”, tha ai.
Kina
Në fjalimin e tij për politikën e jashtme zoti Blinken foli gjithashtu edhe për Kinën.
“Unë mendoj se objektivat e Kinës janë të qarta. Me kalimin e kohës, gjatë dekadave të ardhshme, Kina synon të jetë vend udhëheqës, dominues në arenën ndërkombëtare, ushtarakisht, ekonomikisht, diplomatikisht, kjo është e qartë”, tha ai.
Ndërsa, Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se qëllimi i tyre është të menaxhojnë me përgjegjësi konkurrencën me Kinën, Pekini e ka hedhur poshtë një gjë të tillë, duke thënë se marrëdhënia midis dy ekonomive më të mëdha në botë nuk duhet të përcaktohet nga konkurrenca.
Zyrtarët kinezë kanë thënë se “konkurrenca e vendeve të mëdha” nuk jep “asnjë përgjigje për problemet në SHBA apo sfidat në botë”.
SHBA do të mirëpresin takimin e nivelit të lartë të NATO-s në Uashington nga data 9 deri më 11 korrik, me fokus sigurinë në Evropë ndërsa vazhdon agresioni i Rusisë kundër Ukrainës.
Katër vende nga rajoni Indo-Paqësor – Australia, Japonia, Koreja e Jugut dhe Zelanda e Re do të marrin pjesë në këtë takim të nivelit të lartë./VOA/