image Blinken në Izrael, teksa SHBA-ja synon të rinisë bisedimet për armëpushim në Gazë

Botë

Blinken në Izrael, teksa SHBA-ja synon të rinisë bisedimet për armëpushim në Gazë

news image

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, më 22 tetor po qëndron në Izrael në vizitën e tij të 11-të në rajon që kur ka nisur lufta mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Ai pritet të takohet me zyrtarët kryesorë, teksa SHBA-ja po synon të rinisë përpjekjet për armëpushim pas vrasjes së udhëheqësit kryesor të Hamasit, Yahya Sinwar.

Blinken arriti në Izrael disa orë pasi Hezbollahu – grupi militant dhe partia politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit – lëshoi një breshëri raketash në Izraelin qendror të martën.

Hezbollahu është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara. Ndërkaq, Bashkimi Evropian ka në listë të zezë vetëm krahun ushtarak të grupit, por jo edhe partinë politike. Partia e Hezbollahut ka ulëse në Parlamentin libanez.

SHBA-ja, Egjipti dhe Katari për muaj të tërë kanë ndërmjetësuar bisedimet mes Izraelit dhe Hamasit, duke tentuar të arrihet një marrëveshje në mënyrë që Hamasi të lirojë pengjet në këmbim të përfundimit të luftës dhe të arrihet një armëpushim i qëndrueshëm në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë.

Si Izraeli, ashtu edhe Hamasi, akuzuan njëri-tjetrin për vendosje të kushteve të papranueshme gjatë verës dhe bisedimet u ndërprenë në muajin gusht.

SHBA-ja po ashtu po tenton të ndërmjetësojë një marrëveshje armëpushimi mes Izraelit dhe Hezbollahut, por këto përpjekje dështuan kur muajin e kaluar u rritën tensionet dhe Izraeli kreu një sërë sulmesh, duke vrarë edhe liderin e grupit, Hassan Nasrallahun, dhe komandantë të tjerë të lartë.

Izraeli aktualisht është duke kryer një operacion të madh në veri të Gazës. Po ashtu, Izraeli po kryen një sërë sulmesh në mbarë Libanin, duke shënjestruar Hezbollahun, raporton REL.

Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi vrau afër 1.200 persona dhe rrëmbeu afër 250 të tjerë gjatë sulmit të 7 tetorit. Që atëherë, si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 42.000 palestinezë.

Që kur ka nisur lufta në Gazë, Izraeli dhe Hezbollahu kanë këmbyer zjarr në kufi. Por, në fillim të tetorit situata u përshkallëzua dhe Izraeli njoftoi për nisjen e një operacioni tokësor në jug të Libanit kundër Hezbollahut.

/GazetaSinjali/