Sekretari amerikan i shtetit, Anthony Blinken, i ka shkruar një letër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit rreth dialogut me Serbinë, shkruan Gazeta Sinjali.
Përmes kësaj letre, Blinken ka kërkuar nga Kurti që dialogu me Serbinë të fillojë pa vonesa, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian e të cilin e mbështesin edhe SHBA-të.
Shefi i politikës së jashtme të SHBA-së është shprehur se qendër e marrëveshjes me Serbinë duhet të jetë njohja reciproke, e që sipas tij është esenciale për avancimin e Kosovës drejt BE-së.
Po ashtu, ai ka shkruar se SHBA-ja e ka mirëpritur formimin e qeverisë së re dhe se presin që të punojnë ngushtë për të siguruar që Kosova e pavarur e shumë etnike të zë vendin e saj si partner i barabartë në familjen euro-atlantike.
Sekretari Blinken ka thënë se i kanë mirëpritur zotimet e kryeministrit Kurti për luftimin e korrupsionit, fuqizimin e sundimit të ligjit dhe rikuperimin nga pandemia COVID-19, si edhe përpjekjet e tij për realizimin e aspiratave të popullit të Kosovës./Gazeta Sinjali/