image Blerim Reka bisedë telefonike me homologen austriake, kërkon ndihmë për heqjen e vizave

Kosovë

Blerim Reka bisedë telefonike me homologen austriake, kërkon ndihmë për heqjen e vizave

news image

Ministri në detyrë i Integrimit Evropian, Blerim Reka, sot zhvilloi një bisedë telefonike me ministren Federale të Austrisë për BE dhe për Kushtetutën Karoline Edtstadler, me të cilën ka biseduar në lidhje me gjendjen e krijuar nga pandemia COVID-19 dhe për procesin integrues të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Duke iu falënderuar Austrisë për mbështetjen tradicionale të rrugës evropiane të Kosovës, ministri Reka i kërkoi ministres Edtstadler, që si shtet mik i Kosovës, t’i bindë shtetet e pakta hezituese për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, si në prag të Samitit të Zagrebit të BE me vendet e Ballkanit Perëndimor, po ashtu edhe gjatë samitit të rregullt të Këshillit Evropian në qershor 2020.

Nga ana e saj, ministrja Edstadaler ri-konfirmoi përkrahjen austriake për Kosovën në procesin integrues dhe në veçanti për liberalizimin e vizave.

Ajo tha se ka progres në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ministrja Edtstadler tha se Kosova do ta ketë mbështetjen e Austrisë në këtë proces. Ajo theksoi se Programi qeveritar i Austrisë mbështet tutje përpjekjet për arritjen e liberalizimit të vizave, sa më shpejt që të jetë e mundur./GazetaSinjali/