image Bislimi: Serbia u dakordua që të hapen të gjitha arkivat, edhe ato të UÇK-së

Politikë

Bislimi: Serbia u dakordua që të hapen të gjitha arkivat, edhe ato të UÇK-së

news image

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka thënë që gjatë takimeve në Bruksel me palën serbe lidhur me dialogun, është diskutuar me theks të veçantë për të pagjeturit.

Ai në një konferencë për media ka thënë se të martën kanë qenë tri takime prej të cilave takimi i parë ishte me emisarin special të BE-së Mirosllav Lajçak, një takim tjetër për implementimin e marrëveshjes për energjinë dhe targat e veturave dhe takimi i tretë për të pagjeturit.

Kurse të mërkurën ka pasur dy takime, një me Lajçakun dhe një tjetër me këtë të fundit dhe drejtorin e të ashtuquajturës zyre për Kosovë në Qeveri të Serbisë, Petar Petkoviq.

“Me datën 7 dhe 8 shtator kemi pasur pesë takime, të martën kanë qenë tri takime mes meje dhe Lajçakut, pastaj në takimin e tretë është diskutuar për çështjen e të pagjeturve. Të mërkurën kemi pasur dy takime takimi i parë mes meje dhe Lajçak, në këtë takim është diskutuar për çështjen e diskutuarve me dhunë, ndërsa në takimin bilateral kemi diskutuar për çështjen e energjisë”.

“Në takim është diskutuar edhe për targat dhe kemi deklaruar se afati përfundon me 15 shator dhe nuk shohim mendim për vazhdimin e kësaj marrëveshje, ndërsa palët kanë tentuar ta implimentojnë që ta nxjerrin si marrëveshje të përhershme. Në tërë territorin e katër komunave që janë në veri të Kosovës janë vetëm 74 vetura që nuk kanë kaluar në RKS”.

Ai tha se janë njoftuar se në Kizhevak të Serbisë janë identifikuar emrat e shtatë personave kurse në morgun e Kosovës dy prej tyre. Si dhe ka shtuar se pala serbe ka rënë në dakord që të hapen të gjitha arkivat përfshirë edhe ato të UÇK-së.

“Ne jemi njoftuar se Institucioni i Mjekësisë Ligjore në Kizhevak ka arritur të identifikoj emrat  e shtatë personave të gjetur dhe në të njëjtën kohë ka informacione se edhe në morgun e Kosovës janë identifikuar edhe 2 persona. Andaj tema e parë e diskutimit ka qenë gjetja e modaliteteve që këto mbetje të arrijnë sa më shpejtë tek familjarët e tyre Ajo që vlen të të përmendet që pala serbe është dakord që të hapen të gjitha arkivat”.

“…nuk kemi arritur tema të tjera pasi që për ne me emergjente ka qenë, çështja e pagjeturve dhe definimi i elementeve që duhet të përfshijë marrëveshja në përgjithësi ndërsa pala serbe ka refuzuar derisa ka propozuar që të diskutohet Asociacioni dhe ne nuk kemi pranuar”.

Bislimi tha se është diskutuar edhe për vizitat e zyrtarëve të Kosovës dhe Serbisë.

“Sa i përket çështjes së vizitave, mes zyrtarëve të Serbisë dhe Kosovës është shtruar tema e moslejimit të Petkoviqit, ne kemi argumentuar se ai në vazhdimësi ka tejkaluar agjendat e paralajmëruar dhe ka përdorur gjuhë provokative dhe ka përdorur vizitat e tij për forcimin e strukturave paralele”.

/Gazeta Sinjali/