Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka folur për liberalizimin e vizave për Kosovën ku u raportua se Franca ka vënë kusht të ri në diskutimin e sotme për këtë çështje në Këshillin e Bashkimin Evropian.
Zëvendëskryeministri tha se asnjë shtet nuk ka pasur hezitime për liberalizimin e vizave.
“Nuk ka pasur asnjë shtet që ka pasur hezitime për liberalizimin e vizave, vetëm se kemi tri lloje të qëndrimeve, kemi vende që pa asnjë rezervë e kanë përkrahë liberalizimin, kemi disa shtete që për shkak të dinamikave politike nuk kanë mujt me dhanë qëndrimin zyrtar për shkak se disa sosh janë në mandate teknik, Italia dhe Suedia dhe Danimarka që sapo i ka paralajmëruar zgjedhjet”, tha Bislimi në ATV.
Bislimi tha se janë disa vende që nuk e kundërshtojnë liberalizimin por dëshirojnë ta lidhin me sistemin për siguri në Evropë, ETIAS.
“Janë disa vende pak që nuk e kundërshtojnë liberalizimin po dëshirojnë që këtë ta lidhin me disa elemente tjera që për neve janë kritere të reja, edhe pse ata pretendojnë që ato janë teknikalitete po për ne janë kushte të reja. Kushti kryesor është që liberalizimi të hyjë në fuqi në momentin kur BE-ja të fillon ta funksionalizojë sistemin ETIAS që përdorët për identifikimin e personave që udhëtojnë në BE nga ato vende që e kanë marrë regjimin e lirë të vizave, por duke qenë se nuk dihet data kjo nuk mund të dihet kur fillon edhe BE është kundër saj”, tha Bislimi.
I dyti i qeverisë tha se ETIAS përbënë kusht dhe kriter të ri dhe një gjë e tillë nuk është e pranueshme.
“Lidhja me ETIAS përbënë një kusht të ri, ne mendojmë që kjo është e papranueshme, edhe kërkesa që të harmonizohet sistemi i vizave është një lloj kriteri, prandaj çdo ndryshim, çdo kërkesë shtesë që shkon përtej 95 kritereve të cilat Kosova i ka plotësu përbënë kriter të ri dhe ky menoj që është qëndrim i shumë vendeve të BE-së, mbase edhe i vetë përfaqësuesit të Komisionit Evropian”, tha Bislimi.