Për nderë të 15-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës është zhvilluar një ndeshje miqësore mes futbollistëve veteranë të Kosovës dhe atyre të Gjermanisë, raporton Gazeta Sinjali.
I pranishëm në stadiumin ku po zhvillohej ndeshja ishte edhe zëvendëskryeministri në Qeverinë e Kosovës, Besnik Bislimi, i cili ka injoruar himnet e shtetit të Gjermanisë dhe Kosovës.
Në pamjet e publikuara nga drejtori i qendrës së profesionalizuar në ofrimin e shërbimeve lidhur me proceset e migrimit të rregullt në vendet gjermanofolëse, Petrit Sadriu, shihet se Bislimi ka refuzuar të ngritet në këmbë gjatë intonimit të himneve.
“Ja nderimi që i bëhët himneve kombëtare të Gjermanisë dhe të Kosovës nga zv. Kryeministri i Republikës tonë”, thuhet në postimin bashkëngjitur me videot.
Ndryshe, edhe në të kaluarën gjatë kohës që ishin në opozitë, anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje nuk kanë respektuar himnin dhe simbolet me të cilat identifikohet Republika e Kosovës.