Zëvendëskryeministri i vendit, Besnik Bislimi ka deklaruar se sot i kanë dërguar një shkresë emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ku kanë treguar se si e shohin zgjidhjen e çështjes së targave.
Bislimi tha se në momentin që ka dakordim do ta bëjnë publike.
“Ne jemi ende në kontakt me Lajçakun, sot i kemi dërguar edhe me shkrim atë mënyrën se si ne e shohim zhvillimin që nga java e ardhshme e deri në muajt në vijim. Dhe atë moment që ne kemi dakordim e bëjmë publike. Modaliteti janë 20 sosh, në 20 mund të jetë secili, por për të cilin ne kemi diskutuar, edhe të cilin jemi duke e suportuar është diçka tjetër”, tha ai në Tëvë 1.
Bislimi potencoi se Bashkimi Evropian është i interesuar që të mos ketë tensione në terren. Sipas masave të marra nga Qeveria e Kosovës, më 21 nëntor fillon gjobitja për personat që nuk i kanë shndërruar targat nga ilegale në ato RKS.
Qeverisë Kurti i është kërkuar edhe nga BE-ja dhe SHBA-ja që të shtyjë vendimin për targat si dhe të nisë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.