image “Bisha 60-tonëshe”, gjenerali shpjegon çfarë do të bëjë tanku amerikan në Ukrainë

Evropë

“Bisha 60-tonëshe”, gjenerali shpjegon çfarë do të bëjë tanku amerikan në Ukrainë

news image

Shtetet e Bashkuara po mendojnë të dërgojnë në Ukrainë tankun model M1, një prej makinerive më të fuqishme të luftës që kanë në dispozicion. I krijuar fillimisht në vitet 1970, tanku ka pësuar rinovime dhe rimodelime të konsiderueshme përgjatë viteve. Tanku përdoret tashmë prej 40 vitesh dhe është testuar së fundmi në beteja të mirëfillta, si në Afganistan, nga viti 2003 deri në vitin 2010.

Një figurë e lartë e forcave të armatosura amerikane, Gjeneral Brigade Steve Anderson, i cili tashmë është në pension, shpjegoi për CNN atë që mund të bëjë (dhe nuk mund të bëjë) ky tank, në terren, dhe si mund të ndryshojë luftën në Ukrainë.  

“Momentalisht ata kanë tanke të vegjël, më të lëvizshëm. Por tanku M1 është një bishë 60-tonëshe. Mund të përdoret shumë mirë në zona të hapura, por është shumë i madh për të kaluar lumenjtë dhe urat që janë në ato zona. Një tjetër vështirësi është se ai ka një motor turbo, që kërkon karburant si të avionëve, ndryshe nga tanket me naftë që ka në përdorim Ukraina tani”, tha Anderson.

Pavarësisht gjithçkaje, ai beson se Shtetet e Bashkuara duhet të plotësojnë kërkesat e ukrainasve, “sepse është në interesin e të gjithëve ne që ata ta fitojnë këtë përballje”. Ai shtoi se SHBA duhet të dërgojë në Ukrainë ekspertë armësh, në mënyrë që të mund të asistojnë forcat ukrainase me riparimin e mjeteve të luftës aty për aty, pa qenë nevoja që ato të dërgohen qindra kilometra larg, në lindje të vendit, ose në Poloni. “Mund të dërgojmë dhjetëra kontraktorë që do të sigurojnë ekspertizë dhe materiale për të mirëmbajtur armatimet dhe makineritë që i dërgohen Ukrainës”, tha Anderson.

Gjenerali shtoi që pavarësisht se SHBA deri tani është kufizuar te dërgimi i armëve me rreze të shkurtër veprimi, deri në 80 kilometra distancë, kjo duhet të ndryshojë. Vladimir Putin ka thënë se dërgimi i armëve me rreze të gjatë veprimi mbi 320 kilometra është një vijë e kuqe për të, por sipas Anderson, ukrainasit kanë treguar se mund t’iu besohet dhe duhet të marrin gjithçka që kërkojnë, raporton A2CNN.

/GazetaSinjali/