image Bisedimet Rusi-Ukrainë, Medinsky: I kemi propozimin për datën dhe vendin për takimin e ardhshëm

Botë

Bisedimet Rusi-Ukrainë, Medinsky: I kemi propozimin për datën dhe vendin për takimin e ardhshëm

news image

Përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë duket se kanë hyrë në një fazë të re, pasi delegacioni rus ka dërguar propozime konkrete për një takim të ri me përfaqësuesit ukrainas, për të diskutuar kushtet që do të mundësonin përfundimin e luftimeve.

Kreu i delegacionit rus në bisedimet e paqes, Vladimir Medinsky, bëri të ditur të mërkurën se i ka përcjellë Ukrainës propozimet për datën dhe vendtakimin ku pritet të shkëmbehen memorandumet e mundshme për ndaljen e luftës.

Bisedimet e fundit ndërmjet dy palëve janë mbajtur në Stamboll, në fillim të këtij muaji – takimi i parë i tillë që prej marsit të vitit 2022 – por ato nuk arritën një marrëveshje për armëpushim, raportoi agjencia ndërkombëtare Reuters.

Ndërkohë, sipas burimeve diplomatike, presioni ndërkombëtar është rritur, veçanërisht nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili ka kërkuar gjetjen e një zgjidhjeje për t’i dhënë fund luftës më të madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Në vazhdën e këtyre zhvillimeve, presidenti rus Vladimir Putin, pas një bisede telefonike me Trump më 19 maj, deklaroi se Moska është e gatshme të punojë me Ukrainën në drejtim të një memorandumi që do të shërbejë si hap i parë drejt një marrëveshjeje paqësore.

Vladimir Medinsky ka bërë të ditur përmes një postimi në Telegram se ka komunikuar me ministrin ukrainas të Mbrojtjes dhe njëkohësisht kreun e delegacionit, Rustem Umerov, për t’i përcjellë propozimet për takimin e ardhshëm.

“Më lejoni të theksojë, ne jemi gati të fillojmë një diskutim esencial për secilën nga pikat e marrëveshjes për një armëpushim të mundshëm”, ka thënë ai.

Medinsky shtoi se pret një përgjigje nga pala ukrainase dhe se delegacioni rus është i gatshëm për një takim kokë më kokë gjatë ditëve në vijim.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/