image Biseda telefonike mes miliarderit dhe presidentit rus për 2 vite, për çfarë ka komunikuar Elon Musk me Vladimir Putin?

Botë

Biseda telefonike mes miliarderit dhe presidentit rus për 2 vite, për çfarë ka komunikuar Elon Musk me Vladimir Putin?

news image

Elon Musk, pronari miliarder i kompanisë SpaceX që ka fituar kontrata qeveritare dhe një aleat kyç i kandidatit republikan për president Donald Trump, ka qenë rregullisht në kontakt me presidentin rus Vladimir Putin në dy vitet e fundit, raportoi gazeta Wall Street Journal.

Një person që është në dijeni të çështjes, i cili foli në kushte anonimiteti, konfirmoi për agjencinë e lajmeve Associated Press se Musk dhe Putin kanë pasur kontakt përmes telefonatave. Burimi nuk dha detaje shtesë në lidhje me shpeshtësinë e telefonatave, kur janë kryer apo përmbajtjen e tyre.

Elon Musk, njeriu më i pasur në botë që zotëron kompaninë Tesla dhe platformën e mediave sociale X është kthyer në një zë të fortë të së djathës amerikane. Ai ka dhënë miliona dollarë për fushatën e Trump dhe e ka kthyer platformën e njohur dikur si Twitter në një rrjet që ka shumë mbështetës së Trumpit, por po ashtu edhe teori konspracioni, ekstemistë dhe propagandues rusë.

Kontaktet e Musk me Putin ngrenë pikëpyetje të sigurisë kombëtare, duke patur parasysh se kompanitë e tij punojnë për qeverinë dhe po ashtu nënvizojnë shqetësimet mbi ndikimin rus në politikën amerikane.

Çfarë duhet të dini:

Mbi çfarë biseduan ata

Elon Musku dhe Vladimir Putini kanë folur vazhdimisht për çështje personale, çështje të lidhura me biznesin dhe gjeopolitikën, raportoi gazeta Wall Street Journal të enjten, duke cituar shumë zyrtarë dhe ish zyrtarë në Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe Rusi.

Gjatë një bisede, Presidenti Putin i kërkoi Elon Muskut të mos aktivizonte sistemin e tij satelitor Starlink mbi Tajvan si një favor për presidentin kinez Xi Jinping, i cili ka forcuar lidhjet me Putinin, raportoi gazeta. Udhëheqësit Putin dhe Xi janë takuar më shumë se 40 herë që nga viti 2013.

Rusia ka mohuar zhvillimin e një bisede të tillë. Në vitin 2022, Musk tha se kishte folur vetëm një herë me Putinin, përmes një bisede telefonike të zhvilluar 18 muaj më herët, me temë hapësirën. Ambasada e Kinës në Uashington tha të premten se nuk “ishte në dijeni të hollësive” të ndonjë kërkese të bërë nga Putini në interes të Kinës. Kompania X dhe Tesla nuk iu përgjigjën kërkesave për një koment.

Çfarë do të thonë këto biseda për sigurinë kombëtare

Marrëdhënia e Musk me Presidentin rus Putin ngre pikëpyetje mbi sigurinë kombëtare, duke mbajtur parasysh miliarda dollarët që i janë dhënë përmes kontratave qeveritare kompanisë SpaceX , një partner kritik i NASA-s dhe projekteve satelitore të qeverisë.

Po ashtu,Trump është zotuar t’i jape Musk një rol në administratë, nëse fiton zgjedhjet e muajin të ardhshëm.

Kreu i çdo kompanie nënkontraktore qeveritare të madhe në fushën e mbrojtjes do të përballej me pikëpyetje të ngjashme nëse do të zhvillonte biseda private me një nga kundërshtarët më të mëdhenj të Amerikës, thotë Bradley Bowman, ish-asistent profesor në Akademinë Ushatarake West Point dhe këshilltar për sigurinë kombëtare në Senat, i cili tani shërben si drejtor i lartë i Qendrës për Fuqi Politike dhe Usharake pranë Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, me bazë në Uashington.

Bowman tha se koha kur ishin zhvilluar bisedat telefonike, siç raportohet nga gazeta Wall Street Journal, dhe ndryshimi i pikëpamjeve të Musk mbi Ukrainën paraqesin një “rastësi shqetësuese”.

“Politika e qeverisë amerikane është të përpiqet të izolojë Vladimir Putinin dhe Elon Musku po e dobëson në mënyrë direkte një gjë të tillë”, thotë Bowman. “Çfarë po bën Putini me anë të Muskut? Putini po përpiqet të pakësojë izolimin e tij ndërkombëtar dhe të ndikojë në politikën e jashtme amerikane.”

Kërkesa e Putinit lidhur me rrjetin satelitor Starlink si një favor për Kinën ka të ngjarë të marrë vëmendje, duke pasur parasysh mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Tajvanin dhe shqetësimet për partneritetin në rritje mes Kremlinit dhe Pekinit.

Kompania e automjeteve elektrike Tesla e Musk e ka në Shangai fabrikën më të madhe të prodhimit jashtë Shteteve të Bashkuara, Gigafactory Shanghai.

Musk ka krijuar marrëdhënie të ngushta me udhëheqësit më të lartë kinezë.

Ai ka bërë deklarata miqësore rreth Kinës dhe ka sugjeruar që Tajvani t’i japë një lloj kontrolli Pekinit duke u bërë një rajon i veçantë administrativ.

Moska po shton lidhjet edhe me kundërshtarë të tjerë të Amerikës. Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar Rusinë për dërgimin e raketave balistike në Iran dhe ka deklaruar se Koreja e Veriut dërgoi trupa në Rusi, ndoshta për të luftuar në Ukrainë.

Sa i përket Ukrainës, pikëpamjet e Musk kanë ndryshuar që nga koha kur filimisht mbështeti Kievin pas sulmit në shkallë të gjerë të Rusisë në 2022 dhe i mundësoi sistemin Starlink për komunikime.

Më pas, në 2023, ai refuzoi të lejonte Ukrainën që të përdorte sistemet satelitore të internetit Starlink për një sulm të befasishëm ndaj ushtarëve rusë në Krime.

Po ashtu, ai paraqiti një propozim për t’i dhënë fund luftës, sipas së cilës Ukraina do të duhej të hiqte dorë nga plani për anëtarësimin në NATO dhe do duhej t’i jepte Rusisë kontroll të përhershëm në Krimesë, të cilën e pushtoi në 2014. Plani shkaktoi zemërim tek udhëheqësit ukrainas.

Një person që është në dijeni të bisedimeve mes Musk dhe Putin tha për gazetën Wall Street Journal se nuk ka asnjë provë që kontakti mes të dyve përbën një problem të sigurisë së Shteteve të Bashkuara.

I pyetur për kontaktet mes Musk me Putin, zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, u tha gazetarëve të premten se nuk kishte ndonjë informacion për të dhënë.

CIA, Pentagoni dhe Agjencia për Siguri Kombëtare thanë se nuk kishin ndonjë koment. Departamenti i Shtetit nuk iu përgjigj një kërkese për deklaratë.

Lidhjet e ngushta të të Elon Muskut me Donald Trumpin

Së fundmi Elon Musku u shfaq në një tubim të Donald Trumpit, me një kapelë ku shkruhej slogani “Make America Great Again” dhe paralajmëroi se nëse Trump humbet garën, “këto do të ishin zgjedhjet e fundit”.

Vitin e kaluar, Musk u tall përmes një memeje, lidhur me kërkesën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy për ndihmë për vendin e tij dhe në muajin shkurt tha se Shtetet e Bashkuara duhet të ndërprisnin ndihmën ndaj Ukrainës, sepse ajo nuk mund të fitonte.

Ish Presidenti Trump, i cili ka vlerësuar udhëheqjen e Putinit dhe ka kritikuar aleancën e NATO-s dhe ndihmën e Shteteve të Bashkuara për Ukrainën, ka ngritur pikëpyetje se çfarë do të ishte i gatshëm të pranonte në negociata të mundshme mbi për të ardhmen e Ukrainës, në ras se rizgjidhet President.

Rusia konfirmon zhvillimin e një bisede

Të premten, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov hodhi poshtë raportimin e Wall Street Journal si “informacion absolutisht të rremë”.

Peskov tha se Putin dhe Musk kanë zhvilluar një “bisedë telefonike as shumë të shkurtër as shumë të gjatë” para vitit 2022 që ishte “më tepër e natyrës prezantuese” dhe se të dy folën për “teknologjitë vizionare, zgjidhjet teknologjike për të ardhmen”.

“Pas kësaj, Musk nuk pati më kontakte me Putinin”, tha Peskov, duke e hedhur poshtë artikullin e gazetës si politik.

Inteligjenca ushtarake e Ukrainës i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se nuk do të komentonte në lidhje me komunikimin mes Vladimir Putinit dhe Elon Muskut.

/GazetaSinjali/