Binjakët 57 vjeçar nga Dragashi, Behar dhe Sehar Mehmeti, këtë vit kanë vendosur që ta kryejnë haxhin me bashkëshortet e tyre, binjaket Qesere dhe Haxhere Mehmetin.
Bashkësia Islame e Kosovës ka treguar se ideja ishte e Beharit për ta bërë së bashku udhëtimin e tyre jetësor, por një koincidencë ndodhi në momentin që deshi ta telefononte vëllanë e tij, Seharin, që jeton jashtë vendit.
Telefoni i Beharit ato momente cingëroi me thirrjen e Seharit për t’ia shprehur dëshirën e tij për të shkuar së bashku në haxh.
“Është hera e parë e tyre që gjenden në këto vende të shenjta, e në bisedën me ta, ata tregojnë se nuk kanë pasur ndonjë vështirësi për sigurimin e mjeteve për ta realizuar këtë udhëtim, ngase kjo ishte një ëndërr e kahmotshme e tyre”, ka treguar BIK-u.
Edhe gratë e tyre, Qeserja dhe Haxherja, tregojnë me emocione të papërshkruara ndjenjat e tyre kur për herë të parë e panë Qabenë e bekuar.
“Lutjet e tyre për ditë më të mira për të gjithë, për familjet e tyre dhe për gjithë vendin, janë vetëm disa nga lutjet e tyre që ato vazhdimisht po i bëjnë në këtë vend. Ato shprehen shumë të lumtura që këtë vit janë të katërt së bashku”.
E veçantë e këtyre binjakëve është se te dy janë homozigot, kanë të njëjtat shije, të njëjtën peshë, të njëjtat pëlqime e të njëjtat ide.