image Bilanc lufte në Shqipëri nga vrasjet, Berisha: Bandat e krimit janë shteti real i këtij vendi

Shqipëri

Bilanc lufte në Shqipëri nga vrasjet, Berisha: Bandat e krimit janë shteti real i këtij vendi

news image

Rrugët e Shqipërisë janë përgjakur në dy ditët e fundit nga vrasjet dhe atentatet mafioze.

4 të vrarë në më pak se 24 orë është “bilanci tragjik i luftës” në Shqipëri.

Mbrëmjen e 17 gushtit 33-vjeçari Madrit Ulqinaku u vra pas një konflikti të çastit nga 18-vjeçari Horgito Peqini në Elbasan.

Po më 17 gusht u vra në Sarandë 41-vjeçari Klodian Bakiaj nga 24-vjeçari Xhanelo Tarja. Sherri nisi për një vend parkimi dhe përfundoi me dy goditje thike në zemër, që i morën jetën 41-vjeçarit. Jo më vonë se 24 orë, paraditen e djeshme në mbikalimin e Panajasë, në aksin Vlorë-Levan, u ekzekutuan Shpati Lena dhe Hakim Xhezo në një atentat të mirëorganizuar mafioz.

Në konferencën e sotme me gazetarët, Sali Berisha akuzon policinë se rezulton vetëm për të thënë se në cilin drejtim u zhdukën autorët. Vetëm për ngjarjen e Sarandës është arrestuar Xhanelo Tarja, ndërsa për dy vrasjet e tjera autorët vijojnë të jenë në arrati.

Berisha: Gjatë kësaj jave, shqiptarët kanë parë se rendi dhe siguria e tyre janë tërësisht në dorë të bandave dhe krimit. Në një hark kohor 12 orë u përgjakën rrugët e Elbasanit, Sarandës dhe Panajasë në Vlorë. Nuk duhet të marr hua një shprehje në të cilën policia rezulton për të numëruar gëzhojat, por dua të them se policia rezulton për të na thënë kryesisht se vrasësit u zhdukën në drejtim të paditur. E vërteta është se, substrati i këtyre përgjakjeve, i këtyre vrasjeve, qëndron në faktin se janë bandat e krimit që kontrollojnë në çdo qelizë këtë shtet. Janë në një farë mënyre shteti real i këtij vendi. Ndërkohë, platforma zyrtare e Edi Ramës për luftën kundër krimit siç e dini është hani sa më shumë kokën e njëri-tjetrit. E thotë këtë një kryeministër i cili qeveris në një vend që ka firmosur Konventa Ndërkombëtare dhe e ka ndaluar me Kushtetutë dënimin me vdekje. Pra, atë që shteti e ka ndaluar, kryeministri i vendit ua lejon bandave dhe inkurajon bandat me thirrjet e tij për vrasje. Dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë qëndrim, dënoj vrasjet e shëmtuara në rrugët dhe sheshet e qyteteve. Garantoj shqiptarët se qëndrimi ynë do të jetë zero tolerancë ndaj krimit. Ne do t’u japim bandave të qeverisë atë vend që meritojnë së bashku me qeverinë e tyre.

/GazetaSinjali/