28 krerë gjedhe të therura nga Bashkësia Islame e Kosovës për festën e Kurban Bajramit, janë konfiskuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës, për shkak se nuk i kishte plotësuar kushtet për konsumim.
Zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi, ka konfirmuar rastin se mishi i konfiskuar ishte gjetur në thertoren e vetme që BIK-u kishte përzgjedhur për t’i therur kurbanët.
“Sot i kemi ndaluar 28 krerë gjedhe, të therura. Kanë qenë duke u ruajtura në kumorat ftohëse të thertores. Ato kanë qenë duke u ruajtur si mish i freskët”.
“Për shkak të qëndrimit të gjet aty, kanë filluar të kontaminohen. Inspektori ka vlerësuar se nuk i plotësojnë kushtet për konsum. I ka ndaluar dhe do të asgjësohen”, ka deklaruar Thaçi shkurt për Sinjalin.
Gjatë së sotme BIK-u ka reaguar përmes një komunikate për medie ku kanë thënë se mishi i paraparë të shpërndahet është tërhequr. Sipas të njëjtit njoftim BIK-u kishte kryer therjen e kurbanëve në dy thertore. Njëra kishte qenë në Hungari dhe tjetra në Istog.
“Me të marrë këtë shqetësim, kryesia e BIK-ut fillimisht ka ndërprerë shpërndarjen, e më vonë ka bërë edhe tërheqjen e mishit që ishte shpërndarë. Kryesia e BIK-ut njofton opinionin se sasia tjetër e mishit është e sigurt dhe pritet që shpejt të arrijë në Kosovë dhe në bashkëpunim me institucionet kompetente, do t’u shpërndahet kategorive sociale. Kryesia e BIK-ut sqaron për besimtarët që kanë porositur kurbane në BIK, se amaneti i tyre në bazë të parimeve islame është kryer, ndërsa Kryesia do të hetojë rrethanat në të cilat është prishur mishi dhe në bazë të gjetjeve do të marrë masat e duhura që në të ardhmen mos të na përsëriten gjëra të tilla”, thuhet në deklarimin BIK-ut.