Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, biznese e institucione financiare që po shkaktojnë humbje e pasiguri. Hajnat në të shumtën e rasteve arrijnë që të ikin nga duart e organeve të rendit, por ka të atillë që kapen pas veprimeve hetimore të Policisë, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu ka ndodhur në një pompë derivatesh në rrugën ‘Isa Kastrati’ në Prishtinë, ku tre persona dyshohet se kanë kryer një grabitje.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, i tha Sinjalit se të dyshuarit me forcë kanë marrë një shumë parash dhe disa pako me cigare.
Tre të rinjtë, pas veprimeve hetimore të organeve të rendit, janë arrestuar nga Policia dhe të njëjtit janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.
“Rasti ka ndodhë me datën 05.02.2024, në një pompë derivatesh, në rrugën “Isa Kastrati” në Prishtinë, ku personat e dyshuar me forcë kanë grabitur një shumë parash dhe disa pako me cigare.
Puna e hetuesve policor, është finalizuar sot ku pas marrjes së disa veprimeve intenzive hetimore dhe operative, kanë arrit që të identifikojnë dhe arrestojnë personat e dyshuar:
– V.K,mashkull, 21 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës,
– D.K mashkull, 23 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës,
– R.H, mashkull, 24 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës”, tha Borovci.
Të dyshuarit, me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.