Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat për transportin dhe telekomunikimin gjatë muajit maj 2026, ku vërehet një rënie në transportin ajror, ndërsa disa sektorë të telekomunikimit kanë shënuar rritje.
Sipas statistikave të ASK-së, në muajin maj në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” janë realizuar 1.099 fluturime, që paraqet një ulje prej 6 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Edhe numri i udhëtarëve ka shënuar rënie. Gjatë këtij muaji janë regjistruar 366.360 udhëtarë, ose 4 për qind më pak në raport me majin e vitit të kaluar. Numri i udhëtarëve në ardhje ka rënë për 0.4 për qind, ndërsa ai i udhëtarëve në nisje për 7.3 për qind.
Ndryshe, transporti hekurudhor ka shënuar një rritje të lehtë. Në maj 2026 janë regjistruar 8.628 udhëtarë, 1.6 për qind më shumë se në të njëjtin muaj të vitit 2025, ndërsa përmes hekurudhës janë transportuar 182 tonë mallra.
Në sektorin e telekomunikimit, numri i përdoruesve të telefonisë fikse ka arritur në 70.816, duke shënuar rritje prej 3.4 për qind në krahasim me një vit më parë. Megjithatë, trafiku në këtë rrjet ka pësuar rënie prej 4.1 për qind.
Telefonia mobile ka vazhduar të zgjerohet, me 1.516.860 përdorues me parapagim (Prepaid), ndërsa numri i përdoruesve me kontratë (Postpaid) ka arritur në 318.946, duke shënuar rritje vjetore.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!