image Bie niveli i ujit në liqene, shkak i nxehti i madh

Kosovë

Bie niveli i ujit në liqene, shkak i nxehti i madh

news image

Temperaturat e larta me të cilat po ballafaqohet vendi ynë, sot deri në 36 gradë celsius, kanë bërë që të bie edhe niveli i ujit në liqenet akumuluese në Kosovë. Prandaj edhe ruajtja dhe kujdesi për ujin që shpenzojmë është shumë me rëndësi sidomos në këto ditë përvëluese.

Kompania e ujësjellësit rajonal “Prishtina”, u bënë thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe ta ruajnë ujin e pijes pasi që në një të ardhme sipas tyre mund të mbesim pa të.

Zëdhënësja e kësaj kompanie Arjeta Mjeku, i tha gazetës Sinjali se në këtë fazë është shumë e rëndësishme përdorimi i kujdesshëm i ujit.

“Sot, mbi vendin tonë po shënonojnë temperatura mjaft të larta, niveli i ujit në liqene akumuluese po bie dalëngadalë. Ne, nuk bëjmë pjesë ndoshta në zonat me rrezikshmëri të lartë furnizimi, por nëse sot nuk e ruajmë ujin e pijshëm, nëse nuk e përdorim drejtë, në periudhë më afatgjatë rrezikojmë të mbetemi pa të”, ka thënë Mjeku në një përgjigje për Sinjalin.

Mjeku thotë po ashtu se mungesa e ujit nuk është për shkak të kompanisë , e cila siç thekson, po punon me kapacitete maksimale por është për shkak të keqpërdorimit në shumë zona.

“Megjithatë, po mundohemi ta mbajmë një tempo të rregullt të furnizimit me ujë të pijshëm dhe jemi duke punuar me kapacitete maksimale nga të tri fabrikat trajtuese të ujit. Nëse pikat e larta e ndjejnë mungesën në këtë periudhë, nuk është nga ne, është nga keqpërdorimi i ujit që po bëhet me të madhe në shumë zona”, ka thënë Mjeku për Sinjalin.

Rënia e nivelit të ujit po vërehet çdo ditë. Sipas zëdhënëses Mjeku nivelet po bien mbi 6 metra nga kuota maksimale dhe herë herë edhe më shumë./Sinjali/