Presidenti amerikan, Joe Biden ka dënuar një valë sulmesh raketore ruse që vranë të paktën 41 civilë në Ukrainë, si një “kujtues i tmerrshëm i brutalitetit të Rusisë”, pasi u zotua të forcojë mbrojtjen ajrore të Kievit, shkruan BBC.
Të paktën 166 persona janë plagosur në të gjithë vendin nga këto sulme raketore, duke përfshirë disa prej tyre në një spital për fëmijë në Kiev.
Ky reagim i presidentit amerikan vjen në ditën kur pritet të fillojë samiti i NATO-s që do të zhvillohet në Washington.
Biden tha se në takim do të prezantohen përforcimet e mëtejme për mbrojtjen ajrore të Ukrainës.
Liderët e 32 vendeve anëtare të NATO-s, vendet e tyre partnere dhe BE-ja do të mblidhen për të shënuar 75-vjetorin e bllokut.
Presidenti amerikan tha se do të mirëpret presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe liderët e vendeve anëtare të NATO-s.
Samiti do të fokusohet në mbrojtjen dhe parandalimin në kontekstin e pushtimit rus të Ukrainës.
Këshilli i Sigurisë së Kombeve të Bashkuara do të takohen gjithashtu sot me kërkesë të Ukrainës.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres i është bashkuar zyrtarëve perëndimorë duke dënuar sulmin raketor rus në Ukrainë.
Kryebashkiaku i Kieivit, Vitali Klitschko, ka shpallur 9 korrikun ditë zie, si pasojë e sulmit vdekjeprurës rus në kryeqytetin ukrainas.