Kryetari demokrat, Sali Berisha, deklaroi një ditë përpara samitit të Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor në Tiranë, se ky samit është një mbështetje e fuqishme për PD-në dhe opozitën.
“Ky samit përbën mbështetjen më të fuqishme për PD-në dhe popullin opozitar.
Për faktin e vetëm se kjo parti, pas përmbysjes së diktaturës oruelliane të baballarëve të Edi Ramës, aktualisht e shndërruar në një parti droge dhe krimi, partia e tij e kam fjalën, vendosi në Shqipëri, rendin e ri demokratik, të bazuar në vlerat evropiane.
Është kjo parti, e cila në tre dekada, qëndroi lokomotivë e vërtetë e proceseve të integrimit të Shqipërisë në BE dhe në NATO.
Samiti është një mbështetje e madhe për demokratët shqiptarë, sepse është kjo parti në qeveri, e cila firmosi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, e cila liberalizoi vizat me suksesin e reformave të saj, mori rekomandimin për statusin e vendit kandidat.
Në këtë aspekt, samiti i nesërm përbën mbështetjen më të madhe për aspiratat dhe idealet demokratike të saj,” tha Berisha.