image Berisha përgënjeshtron Zekën: S'ka asnjë aktakuzë ndaj Sylës nga Specialja e as nuk i është cenuar lëvizja

Kosovë

Berisha përgënjeshtron Zekën: S’ka asnjë aktakuzë ndaj Sylës nga Specialja e as nuk i është cenuar lëvizja

news image

Avokati i Azem Sylës, Besnik Berisha, ka reaguar pas deklaratave të ish-deputetit dhe gazetarit, Milaim Zeka, sipas të cilit, prokurorët e Dhomave të Specializuara kanë ngritur aktakuzë ndaj Sylës dhe i kanë ndaluar atij të largohet nga Kosova, shkruan Gazeta Sinjali.

Berisha tha se kjo është absolutisht e pavërtetë.

Jo vetëm që nuk ka një kërkesë të tillë për kufizim të lëvizjes, por sipas tij, as nuk mund të ketë, pasi që, sipas tij, liria e lëvizjes mund të cenohet vetëm me një vendim të gjykatës.

Madje, Berisha tha se nuk ka as logjikë juridike që të ketë aktakuzë kundër Sylës nga Dhomat e Specializuara.

“Me pak fjalë, kjo është absolutisht e pavërtetë! Azem Syla nuk ka kontaktuar asnjëherë me asnjë prokuror dhe i gjithë komunikimi me prokurorët e specializuar deri më tani është zhvilluar përmes meje, si mbrojtës i tij.

Deri më sot, nuk ka asnjë kërkesë të tillë nga prokurorët e specializuar, madje as që mund të ketë kërkesë të kësaj natyre, sepse liria e lëvizjes nuk mund të cenohet nga askush, pa një vendim të gjykatës.

Pavarësisht kësaj, nga ajo që unë kam perceptuar me rastin e intervistimit të Sylës në Hagë, si dhe bazuar në zhvillimet e fundit, gjykoj se nuk ka asnjë logjikë juridike që të ketë aktakuzë nga Dhomat e Specializuar kundër Azem Sylës”, ka shkruar avokati Besnik Berisha në Facebook.

Përveç Sylës, Zeka pretendoi se Dhomat e Specializuara do të ngritin aktakuzë edhe ndaj Adem Grabovcit./Gazeta Sinjali/