Sali Berisha nga arresti i shtëpisë përshëndeti protestën e opozitës me anë të një videomesazhi. Ai u tha mbështetësve të mbledhur para Kryeministrisë se çdo vit më 20 shkurt nderohet dita që ndan historinë e Shqipërisë.
“Por sot, për herë të parë në 32 vite, ky 20 shkurt eklipson për nga rëndësia atë të vitit 1991 sepse sot nuk kemi përpara simbolet e një diktature të bazuar në doktrinën marksiste-leniniste, por përballemi me një lloj të re diktature, e cila bazohet në aleancën e pushtetit me krimin, në shndërrimin e votës në krim dhe krimit në votë, vjedhjen e lemerishme të qytetarëve nga pushtetarët dhe trafikun e qindra tonelatave drogë”, u shpreh Berisha.
Ish-Kryeministri tha se Shqipëria ishte llogaritur që sot, në vitin 2024, të ishte një vend pa opozitë.
Berisha foli për hetimet ndaj tij duke theksuar se pas tre vitesh hetime intensive në Shqipëri dhe kudo në botë, nuk kanë gjetur asnjë provë, asnjë fakt, apo dokument të provojë akuzën ndaj tij.
“Kurse vetëm katër ditë më parë, gjykata e Uashingtonit dënoi me 3 vjet burg McGonigalin, një lobist i korruptuar shpalljes time non-grata nga Edi Rama. Fill pas kësaj na grabitën vulën e partisë, ndonëse dy palë zgjedhje, tre votëbesime ju kishit shprehur vullnetin tuaj”, vijoi Berisha.
“E gjithë kjo luftë kundër nesh u bë që sot ne të ishim të përçarë, të ishim të shtrirë përtokë, që sot ne të mos ishim këtu. Që Shqipëria sot të mos kishte opozitë. Por ne realizuam të pamundurën, ne realizuam atë që nuk e parashikonte asnjë njeri”, tha ai.
“Asnjë opozitë në planet nuk do ekzistonte pas sulmeve barbare që u bënë ndaj ndesh. Siç nuk ekziston opozitë në Rusi, Bjellorusi, Iran apo Uganda ku janë marrë masa të të njëjta si këto kundër nesh. Ndaj dhe ju vini sot në këtë shesh si heronj. Po, po. Si heronj të të vërtetës, heronj të guximit dhe dinjitetit njerëzor. heronj të pluralizmit, heronj të antikorrupsionit, heronj të atdhetarizmit. Ju vini si heronj të betejave të fituara”, tha Berisha.