Ish-trajneri i Real Madridit, Liverpoolit dhe disa klubeve të tjera të mëdha evropiane, Rafael Benítez, ka komentuar interesimin e “Los Blancos” për sulmuesin argjentinas të Atletico Madridit, Julián Álvarez.
Sipas raportimeve, Real Madridi kishte bërë një ofertë rreth 150 milionë euro për transferimin e sulmuesit, por ajo është refuzuar nga Atletico Madridi, i cili thuhet se nuk ka ndërmend të negociojë për një shumë nën klauzolën e lirimit prej 500 milionë eurosh.
Benítez tha se ishte i habitur nga lëvizja e Real Madridit, duke theksuar se nuk e kishte pritur një ofertë të tillë në këtë fazë.
“Është një surprizë për mua, sidomos duke pasur parasysh emrat e tjerë që janë përmendur në treg,” u shpreh ai.
Ai shtoi se Julián Álvarez është një futbollist i nivelit të lartë, por çmimi i tij, sipas tij, përcaktohet nga tregu dhe jo nga klubet individuale.
“Një lojtar që shënon gola dhe ka vazhdimësi në performancë mund të kushtojë shumë sot. 100 apo 150 milionë euro janë shifra që tregojnë realitetin e futbollit modern,” tha Benítez.
Ish-trajneri i Real Madridit krahasoi gjithashtu tregun aktual me të kaluarën, duke kujtuar transferime shumë më të lira, por që në atë kohë konsideroheshin rekord.
Ai përfundoi duke theksuar se, nëse Álvarez vazhdon formën aktuale, ai mund ta justifikojë plotësisht vlerësimin e tij të lartë në tregun e transferimeve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!