Belgjika ka siguruar kualifikimin në çerekfinalet e Kupës së Botës 2026, pasi mposhti bindshëm Shtetet e Bashkuara me rezultat 4:1, duke i dhënë fund aventurës së amerikanëve në turneun që po organizohet në shtëpi.
Protagonisti absolut i sfidës ishte Charles De Ketelaere, i cili realizoi dy gola dhe udhëhoqi belgët drejt një fitoreje të merituar. Belgjika kaloi në epërsi që në minutën e nëntë, kur Nicolas Raskin asistoi për De Ketelaere, i cili shënoi pa vështirësi.
SHBA-ja reagoi në minutën e 31-të me Malik Tillman, goditja e lirë e të cilit u devijua nga Hans Vanaken dhe përfundoi në rrjetë për rezultatin 1:1. Megjithatë, festa e amerikanëve zgjati vetëm dy minuta, pasi De Ketelaere realizoi sërish me kokë pas një krosimi të Leandro Trossard.
Në pjesën e dytë, Belgjika shfrytëzoi një gabim të portierit Matt Freese, ndërsa Hans Vanaken shënoi për 3:1. Rezultatin përfundimtar 4:1 e vulosi Romelu Lukaku në minutat shtesë me një goditje të saktë nga këndi i ngushtë.
Pavarësisht rikthimit në formacion të Folarin Balogun, sulmuesi amerikan mbeti i izoluar gjatë pjesës më të madhe të takimit dhe nuk arriti të ndikojë në lojë.
Me këtë fitore, Belgjika kalon në mesin e tetë skuadrave më të mira të Botërorit dhe në çerekfinale do të përballet me Spanjën, në një duel që pritet të jetë një nga më spektakolarët e turneut.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!