Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, ka reaguar pas deklaratave të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi i cili tha se janë dakorduar me palën serbe që të hapen të gjitha arkivat, duke përfshirë edhe ato të Kosovës që kanë të bëjnë me UÇK-në.
I pari i Skenderajt ka thënë se vetëm Serbia është ajo që duhet t’i hapë arkivat, duke shtuar se Bashkësia Ndërkombëtare duhet të bë presion mbi Serbinë për hapjen e arkivave.
“Çfarë të them tash, nëse them se UÇK-ja apo shteti ynë ka arkiva tutem se gaboj, sepse e para ne nuk kemi qenë shtet për kohën që bëhet fjalë. E dyta UÇK ka qenë një ushtri e lindur nga populli që kanë qenë në dijeninë e faktorit ndërkombëtar. Që nga viti 1999 me fillimin e bombardimeve e deri sot e kemi komplet bashkësinë ndërkombëtare këtu dhe nuk e di që kemi diçka sekrete për opinionin. Unë mendoj se arkivat duhet t’i hap Serbia, që ka qenë okupatori që na ka vrarë, prerë, persekutuar. Ajo është e cila duhet t’i hap arkivat dhe BE aty duhet ta ketë presionin për hapjen e arkivave dhe planet çfarë kanë bërë ndaj shqiptarëve dhe tërë ato kufoma që i kemi të pagjetura që familjarët ende nuk dinë ku ta qesin një lule. Nuk dimë çka kemi me hap na më shumë”, tha Jashari në Kanal 10.
Ai ka thënë se kur e ka marrë mandatin si kryetar i Skenderajt në objektin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ka gjetur vetëm fotografi të ushtarëve.
“Unë e dhashë përgjigjen time. Nuk di çka mund të hapim. Unë e kam gjetur shtabin e UÇK-së në Likovc të lënë në harresë, një rrëmujë e tërë, që e kemi rinovuar përmes agjencionit për memoriale. Ka vetëm fotografi të ushtarëve nuk kam parë diçka tjetër”, tha Jashari. /Gazeta Sinjali/