Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, në fjalën e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, i ngriti dy çështje nga fusha e sigurisë. Ai ka kërkuar që të sigurohet transport për policët dhe ushtarët e Kosovës, sepse siç shprehet ata po presin rrugëve, dhe në çështjen e dytë ka kërkuar nga Policia e Kosovës ta marrë në mbrojtje kreun e SBASHK-ut Rrahman Jasharajn.
Sipas deputetit Berisha, çështja e grevës dhe mos-shkuarja e nxënësve në shkolla i takon kryeministrit, Albin Kurti dhe nuk është problemi te Rrahman Jasharaj.
“Linçimet që po i bëhen një qytetarit të Kosovës, si në rastin e Rrahman Jasharajt, sulmet linçuese ndaj çdo njeriu dhe ankesa që fëmijët nuk po shkojnë në shkollë, problemi është të Qeveria, nuk është të Rrahman Jashari, por te kryeministri. Po ashtu kërkoj nga Policia e Kosovës që të marrë në mbrojtje Rrahman Jasharajn. Qasja konfliktioze me sindikatat, tendenca për me përça brenda, është problem në vetvete”, tha Berisha.
Sa i përket çështjes së transportit të policëve dhe ushtarëve, ai u shpreh:
“Çdo ditë në rrugë shohim ushtarë dhe policë duke bërë auto stop për shkak të mungesës së transportit për njerëzit me uniformë. Shumë ushtarë të FSK-së lëshojnë vendin e punës, disa kalojnë nga FSK në Polici por shumica prej tyre e lëshojnë vendin dhe dalin në perëndim, tani kjo është shpeshtuar. Duhet të sigurohet transport në mënyrë që të mos i shohim duke pritë rrugëve”.