Shkencëtarët nga Universiteti amerikan Buffalo kanë zbuluar që zemërgjerësia ka ndikim të rëndësishëm në shëndetin e njerëzve. Ata pohojnë që ofrimi i ndihmës ndaj njerëzve tjerë ruan shëndetin dhe zgjat jetën.
Studimi pesëvjeçar i kryer në 846 vullnetarë ka treguar që kur duhet të përballeni me situatat stresuese, ata të cilët zakonisht i ndihmojnë njerëzit tjerë shumë më lehtë kalojnë nëpër të gjitha problemet, ndërsa po ashtu kanë edhe rrezik të zvogëluar nga vdekja e papritur.
Në mesin e situatave stresuese janë përfshirë sëmundjet serioze, plaçkitjet, humbja e punës, problemet financiare dhe vdekja e anëtarëve të familjes, përcjell Daily Mail.
Vullnetarët në anketa kanë dhënë përgjigje për atë se sa i kanë ndihmuar anëtarët e familjes vitin e kaluar, miqtë, fqinjët ose njerëzit krejt të panjohur në kuadër të punëve të shtëpisë, blerjes së ushqimeve, ruajtjes së fëmijëve, sigurimit të transportit.
“Ky hulumtim na ndihmon të kuptojmë se si ofrimi i ndihmës të tjerëve ndikon në shëndetin tonë dhe se si lehtëson efektet negative të stresit. Përfundimi ynë është që të ndihmuarit e personave tjerë redukton rrezikun nga vdekja e papritur.
Gjatë pesë viteve, sa ka zgjatur hulumtimi, kemi zbuluar që vdekja e papritur në mes atyre që kanë ndihmuar njerëzit tjerë është jashtëzakonisht e rrallë”, ka thënë Michael J.Poulin, udhëheqës i hulumtimit.
Shkencëtarët kanë theksuar që edhe pse dihet që izolimi shoqëror dhe stresi kanë ndikim të rëndësishëm në shëndetin e njerëzve, nuk kanë arritur të vërtetojnë nëse marrja e ndihmës nga të tjerët po ashtu mbron nga stresi në mënyrë të njëjtë sikurse ofrimi i ndihmës të tjerëve. /Gazeta Sinjali/