image BeH notë proteste Serbisë, Beogradi: Mirëpritët Kurtin, e neve na akuzoni për shkelje të integritetit territorial

Politikë

BeH notë proteste Serbisë, Beogradi: Mirëpritët Kurtin, e neve na akuzoni për shkelje të integritetit territorial

news image

Ministria e Punëve të Jashtme e Bosnje dhe Hercegovinës ka dërguar një notë proteste drejt Republikës së Serbisë për pjesëmarrjen e anëtarëve të Qeverisë së Serbisë në shënimin e datës 9 janar, “Dita e Republikës Srpska”, e cila nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjës dhe Hercegovinës është shpallur të jetë në kundërshtim me Kushtetutën.

Siç u njoftua për agjencinë Anadolu, nota e protestës i është dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë përmes Ambasadës së Bosnjës dhe Hercegovinës në Beograd dhe Ambasadës së Serbisë në Sarajevë.

Lidhur me këtë, ka reaguar MPJ-ja serbe, duke u shprehur “e shqetësuar” me përmbajtjen dhe synimin e një, siç e quajtën, demarshi të tillë diplomatik.

“Është e pabesueshme dhe thellësisht shqetësuese që autoritetet në Sarajevë e shohin të arsyeshme t’i dërgojnë nota proteste Serbisë, duke mirëpritur në të njëjtën kohë zyrtarisht Albin Kurtin, politikat dhe veprimet e të cilit shkelin qartë sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë. Ky akt paraqet një mospërfillje flagrante të qëndrimit të Serbisë për çështjen e Kosovës, qëndrim i cili bazohet fuqishëm në të drejtën ndërkombëtare dhe i mbështetur nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, thuhet mes tjerash në një deklaratë të MPJ-së serbe.

U tha po ashtu se pritja e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Sarajevë nuk ishte vetëm një fyerje e njëhershme për Serbinë, por edhe një precedent i rrezikshëm që cenon stabilitetin rajonal dhe respektin reciprok.

“Me atë akt, Sarajeva me vetëdije ka injoruar interesat ligjore dhe legjitime të Serbisë, duke i ngarkuar më tej marrëdhëniet mes dy vendeve tona. Prandaj dërgimi dhe publikimi i notës së lartpërmendur paraqet vetëm një konfirmim tjetër se autorët e saj nuk janë të interesuar për marrëdhënie të mira fqinjësore, bashkëpunimin shumë të nevojshëm dhe respektin e ndërsjellë, por vetëm për një raund tjetër grindjesh mediatike në të cilat ata shpresojnë të fitojnë pikë politike, duke nënvlerësuar publikun si Bosnjën ashtu edhe Serbinë”, thekson MPJ e Serbisë.

Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës ka shpallur dy herë të paligjshëm shënimin e 9 janarit si Ditën e Republikës Srpska.

Pavarësisht kësaj, autoritetet e entitetit të Bosnjës, Republika Srpska, edhe këtë vit organizuan një akademi solemne dhe një paradë nëpër rrugët e Banjë Llukës për këtë festë të paligjshme.

/GazetaSinjali/