Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka pritur në një takim Këshillin e Ambasadorëve Amerikanë, të kryesuar nga Presidenti i këtij Këshilli, Ambasadori Timothy A. Chorba.
Ish-diplomatët e lartë amerikanë, po vizitojnë Shqipërinë në kuadër të një turi rajonal faktmbledhës.
Vizitat po zhvillohen në tre vende të Ballkanit Perëndimor, Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.
Presidenti Begaj i njohu ish-diplomatët amerikanë me reformat dhe hapat e ndërmarra për konsolidimin e institucioneve demokratike dhe të shtetit ligjor. Në mënyrë të veçantë Presidenti Begaj u ndal në kontributin e Shqipërisë për paqen, stabilitetin dhe ndërtimin e frymës së fqinjësisë së mirë në rajon, duke nënvizuar mbështetjen që Tirana zyrtare i jep dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, si e vetmja alternativë për arritjen e një marrëveshje ndërkombëtarisht të detyrueshme, me në qendër njohjen e ndërsjellë të tyre.
Gjatë takimit, Begaj ka ritheksuar edhe njëherë se pas NATO-s, prioriteti strategjik dhe më madhor i Shqipërisë dhe shqiptarëve është anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Kreu i lartë i Shtetit nënvizoi qasjen e re të Bashkimit Evropian ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor, si dhe i njohu të pranishmit me çeljen e negociatave të aderimit nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Një vëmendje e veçantë në takim iu kushtua edhe zhvillimeve në Ukrainë, si dhe rolit e kontributit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.