Bashkimi Evropian ka vendosur një tarifë të re prej 3 eurosh për importet me vlerë të ulët që vijnë nga vendet jashtë bllokut, një masë që prek drejtpërdrejt platformat e njohura të tregtisë online si Shein, Temu dhe AliExpress.
Masat e reja, të cilat kanë hyrë në fuqi të mërkurën, më 1 korrik, parashikojnë që tarifa të aplikohet për çdo klasifikim doganor në një dërgesë.
Kjo do të thotë se një pako që përmban tre kategori të ndryshme produktesh mund të tatohet deri në 9 euro, ndërsa një dërgesë me produkte të së njëjtës kategori, si veshje apo lodra, do t’i nënshtrohet një tarife prej 3 eurosh.
Vendimi prek veçanërisht platformat kineze të tregtisë elektronike, të cilat për vite me radhë kanë përfituar nga përjashtimet doganore për të ofruar produkte me çmime shumë të ulëta në tregun evropian. Kjo ka nxitur rritje të shpejtë të shitjeve, por edhe ankesa nga bizneset vendore dhe politikëbërësit.
Sipas të dhënave të Bashkimit Evropian, numri i pakove të tregtisë elektronike që kanë hyrë në bllok nën këtë përjashtim është rritur nga 1.4 miliardë në vitin 2022 në 5.8 miliardë gjatë vitit 2025.
Ligjvënësi evropian Dirk Gotink ka deklaruar se rregullat e deritanishme nuk i përgjigjen më realitetit të tregtisë moderne, duke shtuar se përjashtimi doganor “është keqpërdorur në shkallë industriale” për të krijuar avantazh konkurrues ndaj bizneseve evropiane.
Ekspertët paralajmërojnë se masa e re mund të ndikojë edhe në tregtinë globale ajrore, ndërsa pritet të reflektohet edhe në çmimet për konsumatorët, pasi platformat mund t’ua transferojnë një pjesë të kostove shtesë blerësve.
AliExpress ka njoftuar se çmimet e produkteve do të shoqërohen me etiketën “përfshin doganat dhe TVSH-në”, ndërsa Amazon ka bërë të ditur se shumica e dërgesave për tregun e BE-së tashmë realizohen nga magazinat brenda bllokut, për të shmangur kostot shtesë.
Tarifa prej 3 eurosh është masë e përkohshme dhe pritet të zëvendësohet nga një sistem i ri tarifash sipas kategorive të produkteve, i cili do të hyjë në fuqi nga korriku i vitit 2028, me funksionalizimin e Autoritetit të ri Doganor të Bashkimit Evropian.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!