image BE prezanton "korona-pasaportën" turistike

Botë/ BE prezanton “korona-pasaportën” turistike

news image

Ministrat e Turizmit të shteteve anëtare të BE ranë dakord në video konferencën e sotme për të zhvilluar një dokument të përbashkët udhëtimi që do të ishte i vlefshëm për të gjitha vendet anëtare.

Tema e seancës ishte gjendja e turizmit evropian, ndikimi dhe masat dhe kushtet për ardhjen e turistëve.

Ministri i Turizmit i Kroacisë, Gari Kapel tha se dokumenti, të cilin ai e quajti korona-pasaportë, i referohet pjesës së shëndetit dhe sigurisë së protokollit të udhëtimit.

Sipas televizionit kroat, Kapel tha se është rënë dakord që duhet të ketë një plan të përbashkët për menaxhimin e krizave, pavarësisht situatave individuale në vendet evropiane.

“Turizmi përbën 10 deri në 11 për qind të GDP së Bashkimit Evropian dhe punëson 12 për qind të gjithsej punonjësve të tij. Është kyç për nxitjen dhe shpëtimin e ekonomive kombëtare”, tha Kapel, duke cituar shembuj nga Kroacia, Italia, Spanja dhe Greqia.

I pyetur nga mediat për mundësinë e vendosjes së një korridori për trafikun turistik, ai tha se për këtë do të ketë një pajtim deri në fund të majit, nëse jo në një zonë të përbashkët, atëherë do të jetë bilaterale me vendet e interesuara.

“Deri më tani, ne kemi tashmë një numër të respektueshëm të vendeve që janë të interesuara,” tha Kapel./Gazeta Sinjali/