image BE pret formimin sa më të shpejtë të Qeverisë së re

Kosovë

Zgjedhjet/ BE pret formimin sa më të shpejtë të Qeverisë së re

news image

Deklaratë e përbashkët e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Zëvendës-Presidentes Federica Mogherini dhe Komisionerit Johannes Hahn për zgjedhjet e parakohshme legjislative në Kosovë.

Bashkimi Evropian i ka cilësuar të qeta dhe të rrëgullta zgjedhjet e parakohshme legjislative që u mbajtën në Kosovë më 6 tetor 2019. Kështu thuhet në një delaratë të përbashkët të Përfaqësueses së Lartë të BE, Zëvendëspresidentes Frederika Mogherini dhe  të Komisionerit të BE-së Johanes Hahn.

BE mirëpret formimin sa më të shpejtë të Qeverisë së re për t`i adresuar çështjet që e presin Kosovën me theks të veçantë vazhdimin e dialogut me Serbinë.

“Bashkimi Evropian mezi pret formimin e një qeverie të re sapo të përfundojnë procedurat përkatëse. Kjo është e rëndësishme në mënyrë që Kosova të mund të rifillojë me shpejtësi punën për reformat në mbështetje të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror, si dhe sundimit të ligjit, në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit BE-Kosovë dhe mbi dialogun e lehtësuar nga BE me Beogradin. Ne presim që të gjithë aktorët politikë të qëndrojnë të përkushtuar në këto procese, të cilat janë thelbësore për të ardhmen e Kosovës, për përparim në rrugën e saj evropiane, dhe më e rëndësishmja për përfitimin e popullit të Kosovës dhe të të gjithë rajonit” thuhet në reagimin e lëshuar për medie.

BE përkojton se me ftesë të Presidentit të Kosovës dhe duke vazhduar përkushtimin e saj të gjatë për të mbështetur proceset demokratike të Kosovës, kishte vendosur një Mision për Vëzhgimin e Zgjedhjeve të kryesuar nga Viola von Cramon-Taubadel, anëtare e Parlamentit Evropian. Sipas deklaratës paraprake të Misionit të lëshuar sot, zgjedhjet u administruan mirë dhe transparente,theksohet në reagim.

“Mjedisi i fushatës ishte i gjallë dhe konkurrues në pjesën më të madhe të Kosovës, por dëmtohej nga frikësimi në zonat serbe të Kosovës. Të gjitha parregullsitë e identifikuara duhet të adresohen nga autoritetet” thuhet në deklaratën e përbashkët.

Bashkimi Evropian paralajmëron se në muajt e ardhshëm, Misioni i BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve do të paraqesë një raport përfundimtar që përmban rekomandime për proceset e ardhshme zgjedhore ku BE thotë se pret nga  të gjitha partitë politike që të përfshihen në mënyrë konstruktive në këtë proces, në përputhje me deklaratën e tyre të përbashkët të Prillit 2019. / Gazeta Sinjali/