image BE mesazh Serbisë: S’ka anëtarësim me qëndrime pro-ruse

Rajon

BE mesazh Serbisë: S’ka anëtarësim me qëndrime pro-ruse

news image

Bashkimi Evropian i ka dërguar vërejtje serioze Serbisë, por edhe shteteve të tjera të rajonit që nuk kanë mbështetur sanksionet ndaj Rusisë, duke njoftuar se vendimet e ardhshme në procesin e zgjerimit do të kushtëzohen me sjelljen e këtyre shteteve ndaj sanksioneve kundër Rusisë dhe deklaratave të përgjithshme ndaj luftës në Ukrainë.

Serbia është i vetmi shtet i rajonit që nuk është përshtatur me qëndrimet e BE-së dhe nuk i ka vendosur sanksione Rusisë.

Zëdhënësi i BE-së për çështje të politikës së jashtme dhe siguri, Peter Stano, tha gjatë një konference për media tha se BE-ja, apo më saktësisht vendet anëtare, në të ardhmen gjatë vendimeve që kanë të bëjnë me vendet përkatëse do të marrin parasysh nivelin e përshtatjes me qëndrimet e BE-së, deklaratat dhe solidaritetin e dëshmuar nga këto shtete për të mbrojtur dhe promovuar vlerat themelore të BE-së.

Ai tha se Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë përshtatur deri më tani plotësisht me qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme.

“Ne presim dhe në këtë drejtim jemi angazhuar me vendet anëtare dhe partnerët në rajon, që t’ua shpjegojmë se sa është e rëndësishme në këto rrethana kur është rrezikuar rendi botëror i bazuar në ligje dhe rregulla, të mbështesin BE-në dhe të kenë qëndrimin e njëjtë me ne rreth sanksioneve”, tha Stano.

Përveç Serbisë, edhe Turqia si vend kandidat nuk ka mbështetur sanksionet ndaj Rusisë. Por, negociatat e anëtarësimit me Turqinë edhe ashtu janë të ngrira, ndërkohë që ato me Serbinë janë në vazhdim e sipër.

Serbia, sipas burimeve diplomatike në Bruksel, tashmë do të jetë nën presion më të madh për të mbështetur sanksionet ndaj Rusisë.

Në Bruksel, thonë burimet diplomatike, nuk do të ketë më mirëkuptim për qëndrimet që shkojnë kundër orientimit strategjik për anëtarësim në BE. Për shkak të zgjedhjeve të fundit në Serbi, BE-ja ishte më e përmbajtur dhe hezitonte të bëjë presion më të dukshëm ndaj Beogradit.

/GazetaSinjali/