image BE lehtëson sanksionet ekonomike ndaj Sirisë

Evropë

BE lehtëson sanksionet ekonomike ndaj Sirisë

news image

Bashkimi Evropian ra dakord të pezullojë gradualisht sanksionet ndaj Sirisë, disa javë pas rrëzimit të presidentit Bashar al-Assad nga forcat rebele.

“Ne arritëm marrëveshjen politike për të filluar lehtësimin e sanksioneve ndaj Sirisë. Kjo mund t’i japë një shtysë ekonomisë siriane dhe të ndihmojë vendin të rimëkëmbet”, tha kryediplomatja e BE-së Kaja Kallas pas një takimi të ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel.

”BE do të rrisë gjithashtu ndihmën humanitare dhe përpjekjet e rimëkëmbjes”, tha Kallas.

“Ministrat e jashtëm të BE vendosën për një qasje hap pas hapi dhe të fillojnë me sanksionet që po pengojnë më shumë ndërtimin e vendit”, tha Kallas, pa dhënë detaje.

Qeveria e përkohshme e Sirisë e përshëndeti vendimin, duke e quajtur atë një “hap pozitiv”.

Ministri i Jashtëm Asaad al-Shaibani tha se Damasku shpreson se sanksionet do të hiqen përgjithmonë.

”Shpresojmë që ky vendim të ketë një ndikim konstruktiv në të gjitha fushat e jetës për popullin sirian dhe të sigurojë zhvillim të qëndrueshëm”, tha ai.

/GazetaSinjali/