image BE: Kosova dhe Serbia të tregojnë pjekuri dhe guxim për kompromiset e nevojshme

Botë

BE: Kosova dhe Serbia të tregojnë pjekuri dhe guxim për kompromiset e nevojshme

news image

Peter Stano, zëdhënës kryesor i shefit për Politikë të Jashtme e të Sigurisë, Joseph Borrell mbi dialogun Prishtinë-Beograd ka thënë se kërkohet pjekuri dhe kompromis nga dy palët për kompromiset e nevojshme.

“BE-ja si ndërmjetësues i dialogut po i ndihmon të dyja palët që të jenë në gjendje të takohen dhe të bien dakord për çështjet në fjalë dhe të çojnë përpara dialogun drejt një përfundimi të suksesshëm, që do të ishte marrëveshja përfundimtare gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve të tyre. Megjithatë, nuk i takon BE-së të vendosë afate kohore, ato varen ekskluzivisht nga aftësia e Kosovës dhe Serbisë për të gjetur pjekurinë dhe guximin e nevojshëm politik për të arritur kompromiset e nevojshme”, tha ai.

Kur u pyet për një raund të ri targash përpara datës 1 nëntor në nivelin e kryenegociatorëve, Stano u shpreh se vendimi i Kosovës është legjitim, megjithatë kërkoi kohë shtesë për aplikimin e këtij vendimi.

“BE-ja ka qenë gjithmonë e qartë se vendimi i Kosovës për riregjistrimin e targave është legjitim. Megjithatë, sipas Marrëveshjeve të Dialogut për lëvizjen Lirë e nga viti 2011 dhe 2016, është e rëndësishme që t’i jepet kohë e mjaftueshme zbatimit të këtij plani, si dhe të përgatitet dhe zbatohet në konsultim të ngushtë me qytetarët e prekur dhe në përputhje m epraktikat evropiane më të mira.

Konkluzionet në kuadrin e lëvizjes së lirë nga viti 2016 përfshinin afate kohore për riregjistrim, të cilat duhet të ofrojnë udhëzime. Prandaj, që nga fillimi i këtij procesi, ne i kemi rekomanduar qeverisë së Kosovës që të vendosë një periudhë 12 mujore për riregjistrimin. Duke ndjekur të njëjtin arsyetim, tani po kërkojmë nga qeveria e Kosovës që të shtyjë afatin ekzistues për 10 muaj”, tha ai për ABC news.

Në fund, ai tha se duhet të shmanget përshkallëzimi i tensioneve dhe, potencialisht, dhuna në veri të Kosovës.

/GazetaSinjali/