Bashkimi Evropian ka investuar 43 miliardë euro për përmirësimin e efikasitetit energjetik të banesave private pas pandemisë, por programi nuk ka sjellë rezultatet e pritura, thuhet në një raport të publikuar nga Gjykata Evropiane e Auditorëve (ECA).
Sipas raportit, fondet nuk janë orientuar gjithmonë te projektet që kursenin më shumë energji, ndërsa në shumë raste prioritet u janë dhënë projekteve që mund të përfundonin më shpejt, në vend të investimeve më të thella dhe me ndikim afatgjatë.
Auditorët kritikojnë Komisionin Evropian dhe shtetet anëtare për mungesë të monitorimit të rezultateve dhe të efektivitetit të shpenzimeve, duke theksuar se nuk është matur se sa energji është kursyer për çdo euro të investuar, shkruan Euronews, përcjell Sinjali.
“Fondet e BE-së për renovimin e banesave duhej të përqendroheshin te projektet me potencialin më të madh për uljen e konsumit të energjisë. Shumë shpesh ato u përdorën aty ku ishte më e lehtë të shpenzoheshin, e jo aty ku do të kishin ndikimin më të madh”, tha anëtari i ECA-së, Nikolaos Milionis.
Raporti vëren se programi favorizoi investime si vendosja e paneleve diellore, ndërrimi i dritareve dhe përmirësimi i sistemeve të ngrohjes, ndërsa projektet më gjithëpërfshirëse, si izolimi i plotë i ndërtesave, mbetën prapa për shkak të kostos dhe kohës më të gjatë të realizimit.
Auditorët ngritën shqetësime edhe për mënyrën e matjes së kursimit të energjisë. Sipas tyre, certifikatat e performancës energjetike nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht konsumin real të energjisë, çka mund të çojë në vlerësime të pasakta të rezultateve.
Raporti veçon edhe rastin e Italisë, ku skema “Superbonus”, që rimbursonte deri në 110 për qind të kostos së renovimit, konsiderohet shembull i përdorimit joefikas të fondeve publike. Sipas auditorëve, kjo skemë i kushtoi taksapaguesve rreth 123 miliardë euro.
Gjykata Evropiane e Auditorëve paralajmëron se programet e ardhshme të Bashkimit Evropian për renovimin e ndërtesave duhet të bazohen më shumë në rezultate konkrete dhe në efektivitetin e investimeve, në mënyrë që fondet publike të përdoren më mirë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!