image BE-ja kërkon pezullimin e rrënimeve në Ujman deri në sqarimin e procedurave ligjore

Kosovë

BE-ja kërkon pezullimin e rrënimeve në Ujman deri në sqarimin e procedurave ligjore

news image

Bashkimi Evropian ka reaguar pas rrënimit të objekteve pranë Liqenit të Ujmanit, duke shprehur shqetësim për mënyrën se si është zhvilluar procesi dhe duke vënë theksin te respektimi i sundimit të ligjit.

Në reagimin e saj, BE-ja thekson se banorët e prekur kishin nisur procedurat ligjore për të kundërshtuar vendimet për lirimin e pronave, ndërsa kërkon që çdo veprim i mëtejshëm për rrënim apo marrje në posedim të pezullohet derisa të përfundojnë proceset përkatëse dhe të trajtohen çështjet ligjore.

Sipas BE-së, autoritetet duhet të garantojnë respektimin e procedurave të rregullta, mbrojtjen e të drejtave pronësore dhe qasjen në mjete efektive juridike. Po ashtu, është kërkuar dialog me banorët dhe institucionet lokale për të gjetur zgjidhje që janë në përputhje me ligjin.

Në deklaratë përmendet edhe roli i Policisë së Kosovës, për të cilën theksohet se angazhimi në operacione të tilla duhet të mbështetet në baza të qarta ligjore dhe të dokumentohet në mënyrë të duhur.

Bashkimi Evropian u bën thirrje institucioneve të Kosovës që t’i adresojnë me urgjencë këto shqetësime dhe të sigurojnë që veprimet e ardhshme të jenë në përputhje me standardet e sundimit të ligjit dhe me obligimet që lidhen me rrugën evropiane të vendit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/