Fushata e Bashkimit Evropian kundër platformave kineze të tregtisë online po përshpejtohet, me kontrolle më të rrepta për përputhshmërinë me rregullat dhe rritje të tarifave për importet në bllok nga faqe të modës së shpejtë si Temu dhe Shein.
Komisioni Evropian të hënën e gjobiti AliExpress me 550 milionë euro për dështimin në vlerësimin dhe reduktimin në mënyrë të mjaftueshme të rreziqeve që lidhen me shitjen e produkteve të paligjshme, të pasigurta dhe të falsifikuara në platformën e saj të tregtisë elektronike.
Vendimi vjen vetëm disa ditë pasi BE-ja vendosi një tarifë doganore prej 3 eurosh për pakot me vlerë nën 150 euro, të cilat më parë hynin në bllok pa pagesë doganore – një masë që pritet të ndikojë ndjeshëm në modelet e biznesit të gjigantëve kinezë të shitjeve online, AliExpress, Shein dhe Temu.
Gjoba është zhvillimi më i fundit në procedurat zyrtare të nisura në vitin 2024 për një shkelje të mundshme të Aktit të Shërbimeve Digjitale të BE-së. Komisioni zbuloi se AliExpress nuk kishte krijuar një sistem efektiv për zbulimin dhe heqjen e produkteve të paligjshme, ndërsa kishte nënvlerësuar edhe hendekun mes numrit të moderatorëve njerëzorë në dispozicion dhe madhësisë së ngarkesës së tyre të punës.
Kontrollet e platformës për përputhshmërinë e produkteve u gjetën gjithashtu të cenueshme ndaj abuzimeve, pasi tregtarët me qëllim të keq dyshohet se i klasifikonin gabimisht produktet për të përfituar nga kërkesa më të lehta.
Sipas hetimit të Komisionit, sasi të mëdha produktesh të paligjshme, përfshirë lodra të pasigurta dhe produkte kozmetike të rrezikshme, vazhduan të qarkullonin në AliExpress pavarësisht përpjekjeve për moderim. Në disa raste, ato qëndruan në internet për javë të tëra pasi ishin raportuar.
Komisioni gjithashtu zbuloi se AliExpress nuk kishte zbatuar siç duhet politikën e ndëshkimeve, duke lejuar që dyqanet që shisnin produkte të paligjshme të vazhdonin të ishin aktive në platformë edhe pasi kishin marrë masa ndëshkuese.
Sistemi i autorizimit të markave të kompanisë, i krijuar për të parandaluar shitjen e produkteve të falsifikuara, u konsiderua joefektiv dhe jo mjaftueshëm i fortë për të ndaluar abuzimet. Shitësit ishin në gjendje të anashkalonin masat mbrojtëse dhe të listonin produkte të rreme.
AliExpress ka afat deri më 20 tetor 2026 për të paraqitur një plan veprimi që tregon se si do t’i trajtojë shqetësimet e Komisionit. Më pas, ekzekutivi i BE-së do të vendosë brenda dy muajve pas marrjes së planit nëse nevojiten masa të tjera, shkruan Euronews.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!