image BE-ja i shqipton Google-it gjobë prej 890 milionë eurosh për shkelje të rregullave të konkurrencës

Botë

BE-ja i shqipton Google-it gjobë prej 890 milionë eurosh për shkelje të rregullave të konkurrencës

news image

Komisioni Evropian ka gjobitur kompaninë Google me 890 milionë euro, duke e akuzuar për shkelje të rregullave digjitale të Bashkimit Evropian dhe favorizim të shërbimeve të veta në dëm të konkurrencës.

Sipas autoriteteve evropiane, Google i ka dhënë përparësi motorit të vet të kërkimit dhe platformës Google Play, ndërsa ka kufizuar mundësitë e kompanive rivale dhe zhvilluesve të aplikacioneve për të ofruar alternativa më të favorshme për konsumatorët.

Komisionerja për Çështjet Digjitale, Henna Virkkunen, deklaroi se kompanitë duhet të kenë mundësi të konkurrojnë në mënyrë të barabartë, ndërsa konsumatorët të kenë qasje në zgjedhje të drejta dhe transparente.

Nga ana tjetër, Google ka kundërshtuar vendimin. Drejtuesi i kompanisë, Kent Walker, tha se masa e BE-së mund të ndikojë negativisht në funksionimin e disa shërbimeve dhe në përvojën e përdoruesve.

Komisioni Evropian ka paralajmëruar se nëse Google nuk i harmonizon praktikat e tij me rregullat e reja digjitale, mund të përballet edhe me masa të tjera ndëshkuese.

Ky është një tjetër hap i Bashkimit Evropian në përpjekjet për të kufizuar fuqinë e kompanive të mëdha teknologjike dhe për të garantuar konkurrencë më të drejtë në tregun digjital.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/